Ushtria ukrainase i përdor obusët polakë “AHS Krab” kundër pushtuesve rusë
Obusët 155-milimetërsh “AHS Krab” po përdoren nga ushtria ukrainase kundër caqeve ruse afër Donetskut. Një fotograf i agjencisë "Reuters" ka siguruar pamje nga njësiti i vijës së frontit në veprim.
Ushtarët ukrainas shihen duke drejtuar një obus të tipit “AHS Krab” në rajonin e Donetskut të martën, më 23 gusht.

Qeveria polake i ka dhënë ushtrisë ukrainase 18 obusë “Krab” për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.

Ky obus peshon 48 tonë, kur është i ngarkuar plotësisht me karburant dhe municion. Obusi mund të zhvillojë shpejtësi maksimale prej 67 kilometrash në orë. Rrezja e veprimit është rreth 400 kilometra.

Në obus ndodhet ekuipazhi prej pesë personave, përfshirë drejtuesin, komandantin e automjetit, sulmuesin dhe dy persona për bartjen e municionit brenda obusit.
Obusi ka vend për 60 predha 155-milimetërshe. Rreth 18 predha mund të hidhen brenda tre minutave.

Rrezja e hedhjes së tytës kryesore është pak më pak se 30 kilometra, ndërsa predhat e asistuara mund ta arrijnë largësinë deri në 40 kilometra.
Në qershor u raportua se Polonia do t’i shesë Ukrainës 60 obusë shtesë të tipit “AHS Krab” me një marrëveshje që e ka vlerën e 700 milionë dollarëve./Nacionale