Ushtria izraelite urdhëron qindra mijëra njerëz në jug të Libanit që të evakuohen
Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër evakuimi për të gjitha pjesët periferike jugore të Bejrutit, në një zonë të quajtur Dahiyeh, për të cilën thotë se shërben si bastion i Hezbollahut.
Nuk ka numër të saktë se sa njerëz jetojnë atje, por sipas disa vlerësimeve, bëhet fjalë për 300.000 deri në 700.000 banorë, shkruan gazeta “The Guardian”.
Besohet se kjo është hera e parë që ushtria izraelite urdhëron banorë të pjesëve të mëdha të kryeqytetit libanez për t’u larguar nga shtëpitë. Më parë, ushtria urdhëronte evakuime nga ndërtesa të caktuara që do të sulmoheshin më pas.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha se urdhri i ri i evakuimit mbulon katër lagje të mëdha në periferinë jugore të Bejrutit – Bourj el-Barajneh, Hadath, Haret Hreik dhe Shiyyah.
“Shpëtojeni jetën tuaj dhe evakuohuni nga shtëpitë tuaja menjëherë. Kini parasysh, lëvizja drejt jugut është e ndaluar. Çfarëdo lëvizjeje drejt jugut do të mund ta rrezikonte jetën tuaj” – tha Adraee.
“Ne do t’ju njoftojmë për kohën e sigurt të kthimit në shtëpitë tuaja” – shtoi ai.
Në një fotografi të publikuar nga agjencia “Reuters”, në jug të Bejrutit shihet një rrugë e mbushur me vetura.