Ushtria izraelite thotë se trupat e saj e kanë rrethuar qytetin Khan Younis në Gaza
Ushtria e Izraelit tha të martën se trupat e saj e kishin rrethuar qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
“Gjatë ditës së kaluar, trupat e Forcave Mbrojtëse të Izraelit kryen një operacion të gjerë, gjatë të cilit e rrethuan Khan Younis-in dhe e thelluan operacionin në zonë. Zona është bastion domethënës i Brigadës së Khan Younis-it të Hamasit”- thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
“Trupat tokësore u përfshinë në luftime në kënde të afërta, drejtuan sulme [të forcës ajrore] dhe përdorën inteligjencë për ta bashkërenduar zjarrin, duke rezultuar në eliminimin e dhjetëra terroristëve”- thuhet më tej, raporton gazeta “The Guardian”.
Izraeli nisi një ofensivë javën e kaluar për ta kapur qytetin Khan Younis, për të cilin thotë se është seli kryesore e militantëve të Hamasit përgjegjës për sulmet e 7 tetorit në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 persona, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.
Pothuajse të gjithë nga 2,3 milionë banorët e Gazës i kanë humbur shtëpitë dhe shumica prej tyre janë dyndur në qyteza të vogla në veri e jug të Khan Younis-it, shumë prej tyre duke fjetur në kushte të vështira, në tenda të improvizuara, ndërsa ushqimi e ilaçet po u harxhohen e ujë të pastër nuk kanë.
Palestinezët thanë se bllokadat e Izraelit dhe sulmi ndaj spitaleve nga e hëna i kishin lënë të lënduarit jashtë kontaktit me ekipe të shpëtimit.
Sipas agjencisë “Reuters”, trupa të pajetë po varroseshin brenda terrenit të spitalit kryesor në Khan Younis, sepse nuk kishte siguri për të shkuar deri te varrezat.
Një spital tjetër në këtë qytet, “Al-Khair”, u sulmua nga trupat izraelite, të cilat arrestuan pjesëtarë të stafit aty, ndërsa një tjetër, “Al-Amal”, ku janë të vendosur ekipet e shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe, u izolua dhe u bë i paarritshëm, sipas zyrtarëve palestinezë.