Ushtria izraelite thotë se sulmoi caqe në dy baza ushtarake siriane - NACIONALE

Ushtria izraelite thotë se sulmoi caqe në dy baza ushtarake siriane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite tha të martën se goditi caqe në dy baza ushtarake siriane, Tadmur dhe T4, në provincën e Homsit, duke i përmendur në një deklaratë kapacitetet e tyre ushtarake.

Izraeli i ka shtuar sulmet ajrore në Siri muajve të fundit, duke vënë në shënjestër objekte ushtarake për të cilat thotë se janë të lidhura me forcat iraniane si dhe me Hezbollahun e Libanit, të dyja aleate të ish-regjimit sirian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Provinca e Homsit, ku ndodhen bazat ajrore T4 dhe Tadmur, është goditur në mënyrë të përsëritur për shkak të rolit të saj në transferet rajonale të armëve.

Sulmet u shpeshtuan, pasi rebelët islamistë e rrëzuan nga pushteti presidentin Bashar al-Assad më 8 dhjetor, kulmi i më shumë se një dekade luftë civile.

Izraeli e ka përcjellë ndryshimin e madh në Siri me një kombinim të shpresës me shqetësimin, përderisa po i peshon pasojat e njërit prej ndryshimeve më domethënëse strategjike në Lindjen e Mesme viteve të fundit.

Grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili i udhëhoqi përpjekjet për rrëzimin e Assadit dhe më parë ka pasur lidhje me Al-Qaedan, ka tërhequr vëmendje të posaçme të izraelitëve.

Izraeli ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do ta tolerojë praninë e HTS-së ose të grupeve të lidhura me të në jug të Sirisë dhe ka bërë thirrje që ajo zonë të demilitarizohet.

Prej asaj kohe, Izraeli i ka zgjeruar operacionet e veta, duke krijuar shënjestra në Latakia dhe afër kufirit me Libanin, duke i përmendur si arsye shqetësimet në rritje për rrënjosjen e Iranit dhe jostabilitetin rajonal./Nacionale

Lajme të ngjashme