Ushtria izraelite pranon se tri pengje ishin vrarë si “nënprodukt” i sulmit të saj - NACIONALE

Ushtria izraelite pranon se tri pengje ishin vrarë si “nënprodukt” i sulmit të saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më shumë se nëntë muaj pas zbulimit të trupave të tyre, ushtria izraelite tha të dielën se përmes një hetimi është zbuluar që ish-pengjet, Rreshter Ron Sherman, Tetar Nik Beizer dhe civili Elia Toledano, ishin vrarë si rezultat i një “nënprodukti” të një sulmi ajror izraelit në Rripin e Gazës, edhe pse shkaktari i saktë i vdekjes së tyre ishte ende i panjohur.

10 nëntor 2024, ushtria izraelite kreu një sulm ajror afër vendit ku më vonë ishin gjetur trupat, duke e pasur në shënjestër komandantin e Brigadës Veriore të Gazës të Hamasit, Ahmed Ghandour, që po fshihej në një tunel në Jabaliya, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Të gjeturat e hetimit sugjerojnë se të tre, me mundësi të madhe, u vranë nga një nënprodukt i një sulmi ajror të ushtrisë izraelite, gjatë vrasjes” së Ghandour-it, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

“Ky është vlerësim shumë i mundshëm duke i marrë parasysh të gjitha të dhënat, por nuk është e mundshme që të përcaktohen me siguri rrethanat e vdekjes së tyre” – tha ushtria, pa saktësuar se çfarë do të mund të ishte një “nënprodukt” i tillë, edhe pse anëtarë të familjeve të viktimave kanë thënë se ka gjasa që tri pengjet kishin mbetur pa frymë ose kishin vdekur nga helmimi me dyoksid karboni brenda një tuneli pas sulmit.

Ushtria izraelite tha se ishte në gjendje që të përcaktonte se tri pengjet me gjasë ishin vrarë tërthorazi nga sulmi kundër Ghandourit duke u mbështetur në vendet ku ishin gjetur trupat e tyre në raport me vendin e sulmit ajror, sipas rezultateve të sulmit ajror, të gjeturave të inteligjencës, raporteve të patologjisë dhe të gjeturave të Institutit të Forenzikës “Abu Kabir”.

Sipas hetimit të ushtrisë izraelite, tri pengjet ishin mbajtur në një kompleks tunelesh ku operonte Ghandouri. Megjithatë, kur ishte kryer sulmi, ushtria nuk kishte të dhëna se në atë zonë ishin duke u mbajtur pengje.

Në hetimin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit është marrë vesh se në atë kohë, ushtria kishte të dhëna për një vend tjetër ku mendonte se po mbaheshin pengjet. Prandaj, kompleksi i tuneleve nuk ishte në listën e ushtrisë si zonë ku mund të kishte pengje./Nacionale

Lajme të ngjashme