Ushtria izraelite nis ofensivë të re në qendër të Gazës
Izraeli njoftoi një fushatë të re ushtarake kundër Hamasit në pjesën qendrore të Gazës të mërkurën, ku mjekët palestinezë thanë se dhjetëra njerëz ishin vrarë nga sulmet ajrore, duke i ndërlikuar bisedimet e pritshme mes ndërmjetësve në përpjekje për të arritur një pakt armëpushimi.
Të paktën 44 palestinezë janë vrarë nga sulmet ushtarake izraelite në pjesën qendrore të Rripit të Gazës nga e marta, thanë zyrtarët shëndetësorë atje, raporton agjencia “Reuters”.
“Zhurma e bombardimit nuk u ndal tërë natën” – tha 30-vjeçarja Aya, që është zhvendosur në Deir Al-Balah.
Ushtria izraelite tha se aeroplanët luftarakë po godisnin caqe militante të Hamasit në Gazën qendrore, ndërsa forcat tokësore po operonin “në mënyrë të përqendruar me udhëzime nga inteligjenca” në zonën Al-Bureij – njëri nga vendbanimet e hershme për refugjatë në Gaza.
“Forcat e Divizionit të 98-të filluan një fushatë precize në zonat e Bureij-it Lindor dhe Deir al-Balah-ut Lindor, mbi dhe nën tokë në të njëjtën kohë” – thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Banorët thanë se forcat izraelite kishin dërguar tanke në Bureij dhe aeroplanët e tanket i goditën vendbanimet e afërta, Al-Maghazi dhe Al-Nuseirat si dhe qytetin Deir Al-Balah, ku tanket nuk ishin futur.
“Secilën herë që ata flasin për bisedime të reja për armëpushim, pushtimi [Izraeli] përdor një qytezë ose një kamp refugjatësh si letër presioni. Pse duhet cilët, njerëzit e sigurt brenda shtëpive ose tendave të tyre, ta paguajnë çmimin? Pse arabët dhe bota nuk mund ta ndalin luftën” – tha Aya.
Ajo, si shumë të tjerë në Gaza, tha se kishte shpresë për raportimet në mediat shtetërore egjiptiane se zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti do të takoheshin në Doha të mërkurën në përpjekje për të çuar përpara një marrëveshje armëpushimi, me të cilën gjithashtu do të liroheshin disa pengje izraelite dhe të burgosur palestinezë.
“Ne po presim një përgjigje nga Hamasi” përmes ndërmjetësve nga Katari, tha të martën para gazetarëve këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, duke iu referuar një propozimi që presidenti Joe Biden e njoftoi të premten.
Katari tha të martën se propozimi tani ishte shumë më afër pozicioneve të të dyja palëve.