Ushtria izraelite kryen sulme kundër Hezbollahut në jug të Libanit
Ushtria izraelite tha të enjten se kishte kryer sulme “të gjera” ajrore kundër grupit Hezbollah në jug të Libanit gjatë natës, përderisa dhuna mes dy palëve nuk shfaqi shenja të zbutjes.
Në shënjestër të sulmeve të kryera me aeroplanë luftarakë ishin depo të armëve, ndërtesa të shfrytëzuara nga Hezbollahu dhe një raketahedhës, në dhjetë zona në jug të Libanit, sipas një njoftimi të ushtrisë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sulmet e gjera vijnë si kundërpërgjigje ndaj një grumbulli prej 50 raketash që Hezbollahu i kishte hedhur një ditë më parë në drejtim të qytezës veriore izraelite, Katzrin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke plagosur një burrë izraelit.
Ndërkohë, sirenat e alarmit për sulme me raketa e dronë u aktivizuan në qytezën kufitare, Kiryat Shmona, dhe në një numër të komuniteteve të tjera në Galile të enjten në mëngjes. Nuk u raportua për të lënduar.
Sulmet e ushtrisë izraelite gjithashtu kryen një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, foli për kapacitetet sulmuese të vendit të tij në veri, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, bëri thirrje për një kundërpërgjigje të ashpër ndaj sulmit të Hezbollahut ndaj qytezës Katzrin.
Shumica e predhave të hedhura nga Hezbollahu u penguan nga sistemi i mbrojtës ajrore “Iron Dome”, por disa të tjera e goditën Katzrinin, duke u shkaktuar dëme të mëdha shtëpive dhe duke lënduar një burrë në të tridhjetat.
Duke e vizituar të mërkurën qytezën që ndodhet në Rrafshnaltën e Golanit, Ben Gviri kërkoi kundërpërgjigje të ashpër ndaj Hezbollahut dhe ndikim më të madh mbi menaxhimin e konfliktit matanë kufirit në veri./Nacionale