Ushtria izraelite: Hamasi ende ka rreth 20.000 anëtarë e qindra raketa - NACIONALE

Ushtria izraelite: Hamasi ende ka rreth 20.000 anëtarë e qindra raketa

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Përderisa në Rripin e Gazës po vazhdon armëpushimi i brishtë pas dy vitesh luftë, në disa vlerësime të reja nga ushtria izraelite thuhet se Hamasi ende ka rreth 20 mijë anëtarë në krahun ushtarak.

Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, para sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 në jug të Izraelit, Hamasi kishte rreth 30 mijë luftëtarë në Rripin e Gazës, të ndarë në pesë brigade rajonale, 24 batalione dhe rreth 140 kompani, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Këto njësite janë çmontuar vazhdimisht nga ushtria izraelite gjatë 24 muajve të luftimeve në Gaza, edhe pse disa të tjera, kryesisht në pjesën qendrore të enklavës, kanë mbetur kryesisht të paprekura.

Gjithashtu, sipas vlerësimeve të ushtrisë izraelite, Hamasi ende besohet se ka qindra raketa, kryesisht me rreze të shkurtër veprimi, por edhe disa që mund të arrijnë deri në pjesën qendrore të Izraelit. Ushtria beson se Hamasi gjithashtu ka qasje në mijëra armë të vogla.

Për më tepër, ushtria izraelite më parë ka vlerësuar se kishte shkatërruar vetëm 25 për qind të tuneleve të Hamasit në mbarë Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, ushtria argumenton se fokusi kryesor ka qenë që të goditen tunelet sulmuese të Hamasit dhe ato që janë përdorur si qendra të komandës ose për prodhimin e armëve – shumica prej të cilave janë shkatërruar – e jo tunelet e shumta që Hamasi i shfrytëzon për të lëvizur nëpër enklavë, sidomos në zonat ku trupat tokësore nuk kanë operuar asnjëherë.

Lajme të ngjashme