Ushtria izraelite gati e ka rrethuar Qytetin Gaza, thotë ministri Katz i Izraelit - NACIONALE

Ushtria izraelite gati e ka rrethuar Qytetin Gaza, thotë ministri Katz i Izraelit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të mërkurën se ushtria izraelite është afër rrethimit të Qytetit Gaza dhe se banorët kanë një “mundësi të fundit” për t’u larguar, por do të duhet të kalojnë nëpër pikat izraelite të kontrollit.

Ultimatumi i Katzit erdhi në kohën kur burimet mjekësore në Gazën e qeverisur nga Hamasi raportuan për të paktën 35 të vrarë nga zjarri izraelit në mbarë enklavën. Izraeli, i cili po e synon pushtimin e Qytetit Gaza, të mërkurën e njoftoi mbylljen e një rruge që çon në këtë qytet, ndërsa Kryqi i Kuq tha se luftimet e kanë detyruar që t’i pezullojë përkohësisht operacionet atje, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ndërkohë, militantët palestinezë në pjesën veriore të Rripit të Gazës hodhën dy raketa drejt pjesës jugore të Izraelit të mërkurën pasdite. Raketat u penguan nga ushtria izraelite, por sulmi e nxiti aktivizimin e sirenave të alarmit për sulme ajrore në komunitetet kufitare afër Gazës.

Në një deklaratë për shtyp, Katzi tha se ushtria izraelite tani për tani ishte duke e marrë nën kontroll pjesën perëndimore të Korridorit Netzarim – në jug të Qytetit të Gazës – deri në bregdet – “duke e ndarë Gazën mes veriut dhe jugut të saj”.

“Kjo do ta shtrëngojë rrethimin përreth Qytetit Gaza dhe secili që largohet prej tij për në jug do të detyrohet që të kalojë nëpër pikat e kontrollit të ushtrisë izraelite” – tha Katzi. “Kjo është mundësia e fundit për banorët e Gazës që duan ta bëjnë këtë që të vendosen në jug dhe t’i lënë terroristët e Hamasit të izoluar në Qytetin Gaza, përballë aktivitetit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit që vazhdon me forcë të plotë” – shtoi ai.

Njerëzit që mbeten në Qytetin Gaza do të jenë “terroristët dhe mbështetësit e terrorit”, vazhdoi ministri izraelit. “Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë duke u përgatitur për të gjitha mundësitë dhe janë të vendosura që t’i vazhdojnë operacionet e veta, deri në kthimin e të gjitha pengjeve dhe çarmatosjen e Hamasit, rrugës për t’i dhënë fund luftës” – shtoi ai.

Ushtria izraelite më vonë njoftoi se kishte arritur “kontroll operacional” mbi pjesën perëndimore të Korridorit Netzarim, duke ua parandaluar palestinezëve rikthimin në Qytetin Gaza. Sipas një vlerësimi të ushtrisë, shumica dërrmuese e rreth 1 milion banorëve tashmë janë larguar./Nacionale

Lajme të ngjashme