Ushtria izraelite e shkarkon Gjeneral Major David Zinin, bisedoi fshehtas me Netanyahun
Gjeneral Major David Zini, shef i Komandës së Trajnimit dhe i Trupave të Shtabit të Përgjithshëm, është shkarkuar nga detyra në Forcat Mbrojtëse të Izraelit.
Vendimi u mor pasi Zini zhvilloi bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pa dijeninë e Shtabit të Përgjithshëm, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Raportohet se Netanyahu e ka përzgjedhur Zinin për pozitën e drejtorit të agjencisë së sigurisë, Shin Bet, pasi e kishte shkarkuar shefin e mëhershëm të saj, Ronen Bar.
Gjykata Supreme e Izraelit ka vendosur që vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Barit ishte i paligjshëm.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, u zu i befasuar nga njoftimi i Netanyahut të enjten në mbrëmje për emërimin e Zinit në pozitën e re.
Zamiri nuk ishte konsultuar paraprakisht për këtë emërim dhe u njoftua vetëm disa minuta para se Zyra e Kryeministrit ta bënte njoftimin.
Ushtria tha se komandanti i ushtrisë u takua me Zinin të premten në mëngjes. Në një deklaratë, ushtria tha se Zamiri e njoftoi Zinin se do t’i jepte fund shërbimit të tij në ushtri ditëve në vijim.
Kjo do të thotë se Zini do të shkarkohet nga ushtria pavarësisht se a shkon deri në fund emërimi i tij si drejtor i agjencisë Shin Bet apo jo.
“Komandanti i Shtabit ia shprehu vlerësimin Gjeneral Major Zinit për një shërbim domethënës e të gjatë luftarak” – tha ushtria izraelite.
“Komandanti i Shtabit sqaron se çfarëdo dialogu mes pjesëtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe nomenklaturës politike duhet të jetë me miratimin e komandantit të Shtabit” – thuhet më tej në deklaratë, duke konfirmuar se bisedimet me Netanyahun ishin zhvilluar prapa shpinës së Zamirit./Nacionale