Ushtria gjermane po plaket e po zvogëlohet, thuhet në një raport zyrtar - NACIONALE

Ushtria gjermane po plaket e po zvogëlohet, thuhet në një raport zyrtar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria e Gjermanisë është duke u plakur e duke u tkurrur, paralajmëroi të martën komisionerja parlamentare për forcat e armatosura, në kohën e përpjekjeve që të lehtësohen rregullat e marrjes së huave për t’i rritur në mënyrë masive shpenzimet në mbrojtje.

Në raportin vjetor të publikuar të martën, komisionerja Eva Hoegl tha se pavarësisht nga fushata për rekrutim, e nisur pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, numri i personelit në forcat e armatosura ka rënë në 181.200 më 2024, nga 181.540 më 2023, ndërsa mosha mesatare është rritur nga 32 në 34, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo e bën më vështirë të arritshëm objektivin e ushtrisë gjermane për ta çuar numrin e personelit në mbi 200 mijë, cak që ishte shtyrë para dy vjetëve nga viti 2025 për në vitin 2031.

Shtimi i shpenzimeve i mundësoi Gjermanisë që ta arrinte cakun e NATO-s për shpenzime në mbrojtje prej 2 për qind të prodhimit vendës bruto për herë të parë më 2024, por rreth 82 për qind e fondit të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për mbrojtje, për të cilin është arritur pajtueshmëri më 2022, tashmë është shpenzuar, thuhet në këtë raport.

Konservatorët e Friedrich Merz-it dhe socialdemokratët e SPD-së – në bisedime për një koalicion pas zgjedhjeve të këtij muaji – po synojnë që t’i ndryshojnë rregullat e huamarrjes me qëllim të rindërtimit të ushtrisë dhe ringjalljes së rritjes ekonomike.

Megjithatë, ata ballafaqohen me rezistencë në Kuvend, ku u nevojiten dy të tretat e votave për ndryshimin e Kushtetutës.

Sipas komisioneres parlamentare, edhe pajisjet, armët dhe infrastruktura e ushtrisë lënë shumë për të dëshiruar.

“Disa nga barakat dhe pronat ende janë në gjendje katastrofale” – thuhet në raport./Nacionale

Lajme të ngjashme