Ushtria amerikane thotë se vrau pesë persona në dy barka të dyshuara me drogë - NACIONALE

Ushtria amerikane thotë se vrau pesë persona në dy barka të dyshuara me drogë

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria amerikane ka thënë se ka goditur dy barka për të cilat pretendon se ishin duke bartur drogë të mërkurën, duke lënë të vrarë pesë njerëz që ndodheshin në to.

Komanda Jugore e ShBA-së nuk tregoi se ku saktësisht i kreu sulmet e reja, por forcat amerikane kanë qenë duke vënë në shënjestër barka që dyshojnë se trafikojnë lëndë narkotike në Karaibe dhe në pjesën lindore të Paqësorit në tre muajt e fundit, raporton televizioni BBC.

Sulmi i së mërkurës erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër tri barka “trafikuese që po lundronin si kolonë”, duke vrarë të paktën tre njerëz.

Administrata e presidentit Donald Trump i ka paraqitur operacionet si konflikt jondërkombëtar me trafikuesit e dyshuar, por ekspertët ligjorë thonë se ato mund të paraqesin shkelje të ligjeve që kanë të bëjnë me konfliktet e tilla.

Në përgjithësi, janë kryer më shumë se 30 sulme ndaj barkave si pjesë e “luftës ndaj drogës” nga administrata e Trumpit. Më shumë se 110 njerëz janë vrarë që nga koha kur ShBA-ja e kreu sulmin e parë ndaj një barke në ujëra ndërkombëtare më 2 shtator.

Në njoftimin për sulmin ndaj tri barkave në kolonë, që u krye më 30 dhjetor, Komanda Jugore tha se ishin disa të mbijetuar, pa saktësuar sa.

Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, i kishte thënë se tetë persona të mbijetuar po kërkoheshin.

Nuk është e qartë nëse ndonjëri nga ta është gjetur./Nacionale

Lajme të ngjashme