Ushtria amerikane thotë se vrau 11 “narko-terroristë” në tri barka të dyshimta të drogës
Njëmbëdhjetë njerëz u vranë përmes disa sulmeve ndaj tri barkave që dyshoheshin se po trafikonin drogë në Paqësorin Lindor dhe në Detin e Karaibeve, tha ushtria amerikane.
Zyrtarët thanë se nga 11 “narko-terroristët” e vrarë, katër vdiqën në barkën e parë në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, katër në barkën e dytë gjithashtu në atë zonë dhe tre të tjerë në barkën e tretë në Karaibe, raporton televizioni BBC.
Administrata e presidentit Donald Trump ka kryer më shumë se 40 sulme vdekjeprurëse ndaj barkave të dyshimta të drogës në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor nga shtatori i vitit të kaluar.
“Inteligjenca konfirmoi se barkat ishin duke kaluar transit nëpër rrugë të njohura të narko-trafikimit dhe ishin të angazhuara në operacione të narko-trafikimit” – tha në një postim në rrjete sociale Komanda Jugore e ushtrisë amerikane.
Late on Feb. 16, at the direction of #SOUTHCOM commander Gen. Francis L. Donovan, Joint Task Force Southern Spear conducted three lethal kinetic strikes on three vessels operated by Designated Terrorist Organizations. Intelligence confirmed the vessels were transiting along known… pic.twitter.com/mib9XtptSB
— U.S. Southern Command (@Southcom) February 17, 2026
Asnjë pjesëtar i personelit ushtarak amerikan nuk u lëndua gjatë operacionit të zhvilluar në mbrëmjen e vonë të së hënës.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i këtyre operacioneve është që të largohen “narko-terroristët nga hemisfera jonë” dhe që vendi të sigurohet nga “drogat që po i vrasin njerëzit tanë”.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë paraqitur dëshmi për t’i mbështetur pretendimet se barkat që janë goditur kanë qenë duke transportuar drogë.
Disa ekspertë ligjorë gjithashtu kanë thënë se këto sulme mund të jenë të paligjshme dhe mund të përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, sepse në shënjestër kanë civilë që nuk u ofrohet procesi i duhur./Nacionale