Ushtari rus i tregon gishtin e mesëm dronit të Ukrainës, pendohet pas pak sekondash
Në pamjet e publikuara nga The Sun, shihet një ushtar rus që i tregon gishtin e mesëm një droni ukrainas, pak para se zona të mbulohet nga shpërthime masive.
Pamjet e xhiruara nga një dron, shfaqin ushtarët rusë në një fermë, duke qëndruar pranë një automjeti ushtarak. Shihet se në një moment ushtari rus e vë re dronin dhe e shikon duke i nxjerrë gishtin. Por, vetëm pas pak kohe zona bombardohet nga ukrainasit.
Imazhet janë shpërndarë në internet nga Anton Gerashchenko, një këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, së bashku me titullin: "Rajoni i Zaporizhzhisë. Puna e forcave speciale të Drejtorisë kryesore të 15-të të DVKR SBU (Shërbimi i Sigurisë së Ukrainë)."
Mediat ukrainase kanë raportuar se nga ky operacion janë vrarë 82 ushtarë rusë, megjithëse kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Këshilltari është shprehur se: "Kostoja e një helikopteri të tillë sulmi - një dron i bërë nga shoqata Aerorazvedka - është vetëm 35-40 mijë dollarë. Por, efekti në pajisjet ruse të shkatërruara matet me miliarda dollarë në muaj."
Ai shtoi se, kjo ishte një metodë e lirë dhe efektive për të luftuar pushtuesit.