Ushtarëve të Koresë së Veriut u janë dhënë dokumente false ruse, thotë Ukraina
Ushtarëve të Koresë së Veriut që po luftojnë për Rusinë u janë dhënë dokumente të rreme ushtarake me emra rus e vendlindje brenda Rusisë, ka thënë ushtria ukrainase, në kohën e shqetësimeve nga Kievi se Rusia po mundohet ta fshehë praninë e luftëtarëve të huaj në fushën e betejës.
Forcat ukrainase për operacione speciale thanë në një deklaratë të dielën se kishin vrarë tre ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë dhe ua kishin marrë dokumentet, raporton televizioni CNN.
Dokumenteve të tyre ushtarake të identifikimit “u mungojnë vulat dhe fotografitë, emrat patronimikë janë dhënë në mënyrën ruse dhe vendi i lindjes u figuron si Republika e Tuvas”, duke iu referuar rajonit rus në jug të Siberisë, në kufirin me Mongolinë.
Sidoqoftë, nënshkrimet e dokumenteve janë në gjuhën koreane, gjë që “e tregon prejardhjen e vërtetë të këtyre ushtarëve”, thuhet më tej në deklaratë.
“Ky rast edhe një herë konfirmon se Rusia është duke zgjedhur çfarëdo mjeti për t’i fshehur humbjet e veta në fushën e betejës dhe për ta fshehur praninë e huaj” – shtohet aty.
Sipas vlerësimeve nga inteligjenca e ShBA-së, Ukrainës dhe Koresë së Jugut, numri i ushtarëve të Koresë së Veriut në Rusi është mes 11 mijë e 12 mijë, disa prej të cilëve tashmë janë angazhuar në operacione luftarake krahas dhjetëra mijëra ushtarëve rusë për t’u asistuar në rikthimin e pjesëve të Kurskut që janë kapur nga forcat ukrainase gjatë ofensivës së befasishme të gushtit.
Trupat e Koresë së Veriut duket se kanë pësuar humbje të rënda në atë rajon, sipas zyrtarëve amerikanë e ukrainas, përderisa zyrtarët në Kiev e akuzojnë Rusinë se po mundohet që ta fshehë përfshirjen e tyre.