Ushtarët rusë qëlluan për vdekje pesë civilë në Ukrainë, thonë prokurorët
Autoritetet ukrainase kanë hapur një hetim për krim lufte për një incident në të cilin një dëshmitar ka thënë se forcat ruse kishin qëlluar për vdekje pesë civilë në një fshat në pjesën lindore të Ukrainës.
Zyra e prokurorit në rajonin e Donetskut tha në një deklaratë të enjten se një burrë, dy djemtë e tij dhe dy fqinj u vranë më 20 tetor në Zvanivka, afër vijës së frontit në Donetsk, rajon që është kryesisht i pushtuar nga Rusia.
Rusia nuk e komentoi menjëherë incidentin, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Në deklaratën e zyrës së prokurorit thuhet se një çift i martuar dhe njëri nga djemtë e tyre kishin qenë duke u fshehur në një bodrum, kur ushtarët rusë u futën dhe kërkuan të dhëna rreth vendndodhjes së forcave ukrainase.
Ushtarët u larguan pasi nuk morën përgjigje, por njëri nga ta u kthye dhe hapi zjarr me armë automatike, thuhet më tej në deklaratë.
Burri dhe djali i madh u vranë, ndërsa gruaja u la si e vdekur, pasi u plagos në fytyrë.
Kur iu kthyen ndjenjat, ajo shkoi ta kërkonte djalin e saj më të vogël, i cili kishte shkuar të merrte ujë te fqinjët para se të arrinin ushtarët. Ajo e gjeti të birin të vdekur në shtëpinë e fqinjëve bashkë me një grua 62-vjeçare dhe djalin e saj 30-vjeçar, thuhet në deklaratë.
Gruaja e plagosur, emri i së cilës nuk u publikua, i mbijetoi incidentit dhe u intervistua nga prokurorët në një spital në territorin e kontrolluar nga Ukraina.
“Prokurorët e morën në pyetje atë dhe regjistruan dëshmi të një krimi tjetër të luftës kundër popullsisë civile” – thuhet në deklaratë.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha në mars se mbi 183.000 krime lufte të dyshimta janë dokumentuar nga autoritetet ukrainase që nga fillimi i pushtimit rus më 2022. Moska ka mohuar se ushtarët e saj kanë kryer mizori dhe thotë se Perëndimi i ka shpërfillur krimet e Ukrainës, akuzë që mohohet nga Kievi./Nacionale