Ushtarët izraelitë shkëmbejnë të shtëna në kufi me Egjiptin, një i vrarë e një i plagosur
Izraeli tha se një ushtare i është lënduar lehtë gjatë shkëmbimit të zjarrit përgjatë kufirit me Egjiptin, për të cilin Kajroja tha se ndodhi për shkak të trafikimit të drogës.
Një person u vra në Egjipt nga këto të shtëna, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara që nga fillimi i luftës mes Izraelit e Hamasit, raporton agjencia “Associated Press”.
Ushtarja izraelite që u godit “u evakuua drejt një spitali për të marrë trajtim mjekësor dhe familja e saj është njoftuar”, thuhet në një njoftim të ushtrisë izraelite.
Forcat izraelite nuk i identifikuan të dyshuarit. Në një deklaratë të ushtrisë egjiptiane të martën thuhet se të dyshuarit e përfshirë në këtë rast po mundoheshin që të trafikonin drogë, duke shtuar se një person u vra e gjashtë të tjerë u arrestuan më vonë.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha të hënën se ofensiva intensive ushtarake e vendit të tij në jug të Rripit të Gazës do të zvogëlohet së shpejti, por e përjashtoi mundësinë për një armëpushim.
Më shumë se 100 ditë pas fillimit të luftës së Izraelit kundër Hamasit, autoritetet palestineze thanë se numri i të vdekurve në enklavë ka shkuar në mbi 24 mijë.
Egjipti dhe Izraeli kanë marrëveshje të paqes nga viti 1979, por lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza i ka tensionuar raportet.