Uri, ekzekutime e përdhunime: Ç’po ndodh në Sudanin e harruar nga bota?
Civilët që po e përjetojnë luftën civile në Sudan i kanë dhënë BBC-së rrëfime të hollësishme për përdhunime, dhunë etnike e ekzekutime në rrugë. Gazetarët e televizionit britanik kanë arritur që të shkojnë në vijën e frontit të luftimeve, afër kryeqytetit Khartoum.
Zyrtarët e OKB-së kanë paralajmëruar se konflikti e ka zhytur vendin në “njërën nga ankthet më të këqija humanitare në historinë e re” dhe mund ta nxisë krizën më të madhe të urisë në botë, raporton televizioni BBC.
Ka gjithashtu frikë se në Darfur, në perëndim të Sudanit, mund të fillojë së shpalosuri një përsëritje e atij që ShBA-ja e ka quajtur gjenocid para 20 vjetëve.
Krejt papritmas, një shpërthim i fortë e drodhi rrugën në Omdurman. Njerëzit bërtitën dhe vrapuan në të gjitha drejtimet, duke bërtitur: “Kthehuni prapa, kthehuni prapa, do të jetë edhe një tjetër.” Tymi i dendur mbuloi gjithçka.
Disa çaste më parë, rruga e rrahur kishte nisur të mbushej me këmbësorë që po blinin oriz, bukë e perime nëpër dyqane, të cilat rishtazi kishin filluar të rihapeshin.
Në mesin e shkurtit, ushtria sudaneze e rimori qytetin – njëri nga tri qytetet përgjatë Lumit Nil që e formojnë kryeqytetin Khartoum.
Civilët tani kanë filluar që të kthehen, por mortajat, si ajo që ra në mesin e kësaj rruge kryesore, ende bien përditë.
Për mediat ndërkombëtare, sigurimi i qasjes për ta mbuluar luftën civile që shpërtheu në prillin e kaluar ka qenë i vështirë, por BBC-ja arriti që të shkonte në vijën e frontit.
Ekipi i televizionit britanik e gjeti zemrën e qytetit Omdurman, që dikur ishte plot gjallëri, të shndërruar në shkretëtirë me banorë të rrallë.
Lufta e egër për pushtet mes ushtrisë së vendit dhe ish-aleatëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (FMSh) ka lënë të vrarë të paktën 14 mijë njerëz në mbarë vendin, me gjasë shumë më shumë.
Për gati një vit, ushtria dhe FMSh-ja kanë zhvilluar beteja për Khartoumin dhe për qytetet afër tij.
FMSh-ja i ka marrë nën kontroll zonat në jug të kryeqytetit si dhe pjesë të mëdha të Darfurit, që ka qenë me vjet në trazira mes komuniteteve të ndryshme afrikane e arabe.
Gratë që kanë ikur nga Darfuri e janë vendosur në Çadin fqinj i kanë thënë BBC-së se janë përdhunuar – në disa raste shumë herë – nga militantët. Burrat në kampe thanë se kishin ikur nga ekzekutimet në rrugë e rrëmbimet.
Një pjesë e vijës së frontit tani kalon përgjatë Nilit, i cili e ndan Khartoumin në anën lindore nga Omdurmani, që shtrihet në perëndim të lumit.
Ushtria thotë se snajperët e FMSh-së janë të vendosur në blloqet banesore matanë ujit nga pozicionet e ushtrisë sudaneze në ndërtesën e Kuvendit, që është dëmtuar rëndë.
Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Shteti i Khartoumit gjatë 11 muajve të kaluar, por disa banorë të Omdurmanit kanë refuzuar që të largohen. Shumica që i pa televizioni ishin të moshuar.
Më pak se një kilometër nga vija e frontit, Mukhtar al-Badri Mohieddin po ecte me një shkop afër një xhamie me minare të dëmtuar.
Hapësira në anën e kundërt është e mbuluar me varre të improvizuara.
“Këtu janë 150 njerëz. Njihja shumë prej tyre, Mohamedin, Abdullahun... Jalalin” – thotë ai, duke pushuar për një çast para një emri. Dr. Youssef al-Habr, profesor i mirënjohur i letërsisë arabe.
“Vetëm unë kam mbetur” – tha Mukhtari.
Ushtria sudaneze është kritikuar për përdorimin e shumtë të bombardimeve ajrore, përfshirë atë në zona civile ku fshihen luftëtarët e FMSh-së, edhe pse thotë se ndërmerr “masa të nevojshme paraprake” për t’i mbrojtur civilët.
Gati një vit pas fillimit të konfliktit, agjencitë e ndihmave paralajmërojnë se situata humanitare është duke dalë nga kontrolli. Agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF, thotë se disa komunitete janë buzë vdekjes nga uria.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli