Ukrainës iu shkatërrua një aeroplan F-16 gjatë sulmit rus, piloti vdiq
Njëri nga aeroplanët luftarakë të tipit F-16, që aleatët e NATO-s ia kanë dhuruar Ukrainës, është shkatërruar, i ka thënë televizionit BBC një burim ushtarak ukrainas.
Aeroplani u rrëzua gjatë një sulmi rus me raketa të hënën, duke e lënë të vdekur pilotin Oleksiy Mes, tha ushtria ukrainase. Kjo është humbja e parë e këtij lloji që nga dhurimi i aeroplanëve më herët në gusht.
Shkaktari i rrëzimit nuk ishte rezultat i drejtpërdrejt i sulmit të armikut me raketa, pretendoi ushtria ukrainase, duke shtuar se piloti shkatërroi tri raketa me drejtim dhe një dron në sulmin më të madh ajror të Rusisë deri më tani.
“Oleksiy i shpëtoi ukrainasit nga raketat vdekjeprurëse ruse. Fatkeqësisht, me jetën e vet si çmim” – shkroi Forca Ajrore e Ukrainës në rrjete sociale.
Në atë deklaratë nuk u saktësua lloji i aeroplanit të rrëzuar, por një burim ushtarak i tha BBC-së se bëhet fjalë për një të tipit F-16.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zyrtarisht konfirmoi të martën se aeroplanët F-16 të prodhimit amerikan po dislokoheshin për të rrëzuar raketa e dronë të Rusisë.
Këtë javë, ai kërkoi nga aleatët që ta lejojnë Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë për të goditur caqe më larg brenda Rusisë.
Shefi i Mbrojtjes i Holandës, Gjeneral Onno Eichelsheim, konfirmoi se vendi i tij do t’i japë Ukrainës 24 aeroplanë si dhe më shumë armë.
Nuk do të ketë kufizime për shfrytëzimin e tyre, përpos respektimit të së drejtës humanitare ndërkombëtare, tha ai të mërkurën në një konferencë në Uashington, duke lëntë të kuptohej se Kievi mund të kryejë sulme më të thella brenda territorit rus.
Vendet e NATO-s janë zotuar për dhurimin e rreth 65 aeroplanëve të tipit F-16 për Ukrainën nga koha kur presidenti amerikan, Joe Biden, kishte dhënë autorizim për aleatët evropianë që duan t’i dhurojnë Ukrainës aeroplanë të tillë, në gusht të vitit të kaluar./Nacionale