Ukraina vëren përmirësim të dukshëm në saktësinë e raketave koreane të Rusisë
Raketat balistike të Koresë së Veriut të hedhura drejt Ukrainës nga forcat ruse nga pjesa e fundit e dhjetorit kanë qenë shumë më precize se raketat e hedhura gjatë vitit të kaluar, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy burime të larta ukrainase.
Në kohën kur lidhjet në rritje mes Moskës e Penjanit po shkaktojnë alarm nga Uashingtoni deri në Seul, ngritja e saktësisë – në nivelin brenda 50 – 100 metrave të cakut të synuar – lë të kuptohet se Koreja e Veriut është duke e shfrytëzuar me sukses fushën e betejës për ta testuar teknologjinë e saj raketore, thanë burimet, raporton agjencia “Reuters”.
Një burim ushtarak, i cili kërkoi të mbetej anonim për të diskutuar rreth të dhënave të ndjeshme, përshkroi një përmirësim të dukshëm në saktësinë në të gjitha prej më shumë se 20 raketave balistike të Koresë së Veriut që e goditën Ukrainën gjatë javëve të fundit. Një burim tjetër, zyrtar i lartë qeveritar i afërt me çështjen, i konfirmoi rezultatet, kur u pyet nga agjencia “Reuters”.
Yang Uk, ekspert i armëve në Institutin “Asan” për Studimeve të Politikave në Seul, tha se përmirësime të tilla në kapacitetet raketore të Koresë së Veriut kanë implikime shqetësuese për potencialin e saj që t’i rrezikojë Korenë e Jugut, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara ose t’u shesë armë të modernizuara shteteve “të dështuara” ose grupeve të armatosura.
“Kjo mund të ketë ndikim të madh ndaj stabilitetit në rajon dhe në botë” – tha ai, si përgjigje ndaj pyetjeve për këtë raport.
Programet ushtarake të Koresë së Veriut janë zhvilluar shpejt viteve të fundit, përfshirë raketat me rreze të shkurtër e të mesme, të cilat, sipas Penjanit, mund të pajisen me koka bërthamore. Megjithatë, deri në përfshirjen në luftën e Ukrainës, shteti i izoluar për një kohë të gjatë nuk i kishte testuar kurrë armët e reja në luftime.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Ukraina zakonisht nuk e zbulon rezultatin e sulmeve ruse me raketa e dronë ndaj caqeve ushtarake.
Ministritë e mbrojtjes në Rusi dhe në Korenë e Jugut, si dhe Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut nuk iu përgjigjën pyetjeve të agjencisë “Reuters”.
Eksperti i armëve, Yang, tha se edhe kontaktet e tij të sigurisë në Ukrainë gjithashtu kishin raportuar në mënyrë të pavarur për përmirësime në raketat e fundit të Koresë së Veriut.
“Përderisa ata po prodhojnë raketa dhe po marrin vlerësime nga klientët – ushtria ruse – atëherë ata kanë më shumë përvojë për të prodhuar raketa më të besueshme” – tha ai./Nacionale/Nasuf Abdyli