Ukraina thotë se tre njerëz u vranë në Odesa nga një sulm rus me dron - NACIONALE

Ukraina thotë se tre njerëz u vranë në Odesa nga një sulm rus me dron

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një dron rus goditi një zonë komerciale në qytetin bregdetar ukrainas, Odesa, duke vrarë tre njerëz, thanë të premten ushtria ukrainase dhe guvernatori rajonal, Oleh Kiper.

Ushtria ukrainase tha se Rusia hodhi 31 dronë drejt territorit ukrainas gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore shkatërroi 23 prej tyre, raporton agjencia“Reuters”.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Telegram”, Forcat Jugore thanë se kishin penguar nëntë dronë, por njëri goditi një zonë afër portit, duke shkaktuar zjarr.

Zjarrfikësit nxorën një trup dhe thanë se njerëz të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, përderisa ekipet emergjente luftonin që ta kontrollonin flakën. Një rojë u shpëtua pa u lënduar nga ndërtesa, thuhet në këtë shkrim.

“Trupat e dy njerëzve u gjeën nën rrënoja. Gjithsej tre persona vdiqën si rezultat i sulmit të armikut” – shkroi në “Telegram” guvernatori Kiper.

Ushtria ukrainase tha se në sulme u përdorën edhe raketa, por ato dështuan që t’i godisnin caqet. Në fotografitë e publikuara nga ushtria shihet dëmi i madh ndaj ndërtesave në zonë dhe ekipet e shpëtimit duke ecur mbi rrënoja.

Në qytetin qendror ukrainas, Dnipro, një dron rus goditi një bllok banesor shumëkatësh, duke lënduar tetë persona, tha guvernatori rajonal.

Serhiy Lysak, guvernator i rajonit Dnipropetrovsk, shkroi në “Telegram” se kërkimi është zhvilluar gjatë tërë natës dhe se banorë të tjerë ende mund të jenë nën rrënoja.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime.

Lajme të ngjashme