Ukraina thotë se Rusia hodhi numër rekord të dronëve ndaj saj natën e kaluar
Rusia hodhi numër rekord prej 728 dronësh kundër Ukrainës, tha të mërkurën forca ajrore ukrainase.
Përpos qindra dronëve, kjo forcë tha se trupat ruse hodhën edhe 13 raketa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, forca ajrore tha se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore shkatërruan 718 dronë dhe shtatë raketa.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka kërkuar nga aleatët perëndimorë që t’i dhurojnë më shumë armatim të mbrojtjes ajrore vendit të tij.
Rusia i ka shpeshtuar ditëve të fundit sulmet ajrore ndaj Ukrainës.
Para disa ditëve u raportua se Pentagoni do t’i ndalë dërgesat e disa armëve për Ukrainën, por komentet e fundit të presidentit amerikan, i cili premtoi dhjetë raketa të sistemit “Patriot” për Kievin, duket se paraqesin ndryshim të pozicionit të ShBA-së.