Ukraina thotë se Rusia ende po mundohet që ta marrë nën kontroll Mariupolin
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se trupat ruse ende janë duke u munduar që ta marrin kontrollin e plotë në qytetin bregdetar, Mariupol.
Kapja e Mariupolit nga Rusia, nëse ndodh, do të ishte me rëndësi të madhe psikologjike për të dyja palët e luftës, raporton televizioni “BBC”.
Fitorja e mundshme e Rusisë në Mariupol do t’i mundësonte Kremlinit që t’i tregonte popullit rus – përmes medieve të kontrolluara nga shteti – se Rusia është duke i arritur qëllimet dhe duke shënuar progres.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase gjithashtu tha se Rusia është duke e vazhduar bllokadën e pjesshme në qytetin Kharkiv, ku ushtria ukrainase me javë i ka zmbrapsur forcat ruse.
Forcat ukrainase gjithashtu thanë se dhjetë sulme janë zmbrapsur në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut dhe se disa automjete ushtarake të transportit janë shkatërruar.