Ukraina thotë se po punon me Turqinë, ia kupton lidhjet paralele me Rusinë
Ukraina është duke punuar me Turqinë sa më shumë që është e mundshme për më shumë përkrahje rreth pushtimit rus dhe e kupton – edhe pse nuk është e lumtur me të – realitetin e lidhjeve paralele të Ankarasë me Moskën, tha një diplomat ukrainas.
Reuters
Turqia e ka kritikuar pushtimin rus dhe i ka shitur dronë Ukrainës pavarësisht ankesave të Rusisë. Megjithatë, Ankaraja gjithashtu i ka kundërshtuar sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës dhe ka përdorur retorikë të kujdesshme duke u përmbajtur nga akuzat ndaj ndonjërës palë për konfliktin, edhe pas raportimeve për krime lufte në disa pjesë të Ukrainës.
“Ne do të ishim të lumtur, nëse Turqia do t’u bashkohej sanksioneve dhe nëse do t’i ndalonte fluturimet nga Rusia, por ne e kuptojmë këtë realitet”, u tha diplomati gazetarëve të huaj të premten në kushte anonimiteti.
“Në vend që ta kritikojmë Turqinë, ne po punojmë me palën turke sa më shumë që është e mundshme dhe nuk po kërkojmë diçka që është e pagjasë”, shtoi diplomati, duke theksuar se Turqia është ende vendi i vetëm që ka arritur që të bëjë bashkë zyrtarë ukrainas e rusë për bisedime të paqes
Turqia, që varet shumë nga importimi i energjisë ruse dhe nga turistët që i vijnë nga ky shtet, është bërë strehë e sigurt për rusët që po largohen nga kriza e shkaktuar nga sanksionet dhe shumë prej tyre kanë investuar në prona turke, raporton agjencia “Reuters”.
Diplomati i përmendi të dhënat që tregojnë se mbi 100.000 rusë kanë arritur në Turqi dhe kanë kërkuar dokumente banimi që nga fillimi i luftës. Megjithatë, në të njëjtën periudhë, në Turqi kanë arritur edhe rreth 85.000 ukrainas, nga të cilët 47.000 janë zhvendosur më pas në vende të tjera ose janë kthyer në atdhe, sipas diplomatit ukrainas.
Turqia gjithashtu ua ka ndaluar disa anijeve ruse kalimin transit nëpër ngushticat e saj për në Detin e Zi, duke “e shpëtuar” kështu qytetin bregdetar ukrainas, Odessa, i cili u ka rezistuar sulmeve ruse, shtoi diplomati ukrainas.
Disa anije ruse ende po kalojnë nëpër ngushticat e Turqisë dhe mund të sjellin furnizime nga ujërat siriane, tha diplomati, duke shtuar: “Ne po i kërkojmë palës turke që të vëzhgojë se çfarë po sjellin ato anije nga Siria në Rusi.”
Turqia i kundërshton politikat ruse në Siri dhe Libi si dhe aneksimin e Krimesë më 2014, por e ka blerë sistemin raketor rus, “S-400”. Për këtë veprim, Ankaraja u godit nga sanksionet amerikane në dhjetor të vitit 2020./Nacionale