Ukraina thotë se përmendja e zonës neutrale nga Putini është shenjë e eskalimit - NACIONALE

Ukraina thotë se përmendja e zonës neutrale nga Putini është shenjë e eskalimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë ukrainas tha të hënën se ideja e presidentit rus, Vladimir Putin, për krijimin e një zone neutrale brenda territorit ukrainas është tregues i qartë se Moska planifikon që ta eskalojë luftën e vet në Ukrainën fqinje.

Megjithatë, banorët e qyteti verilindor ukrainas, Kharkiv, që shtrihet rreth 30 kilometra larg kufirit me Rusinë, ishin shpërfillës pavarësisht nga kërcënimi, raporton agjencia “Reuters”.

Putini e shprehu mundësinë e krijimit të një zone neutrale gjatë një fjalimi pas fitores në zgjedhje të dielën, lëvizje për të cilën Kremlini tha se do të ishte mënyra e vetme për ta mbrojtur Rusinë nga sulmet ukrainase.

“Ky është... një manifest i drejtpërdrejtë se lufta vetëm do të eskalojë. E tërë kjo është dëshmi e drejtpërdrejtë se Federata Ruse nuk është e gatshme që të jetojë në marrëdhënie moderne e politike, duke i marrë parasysh të drejtat absolute sovrane të shteteve të tjera” – tha ndihmësi presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.

Putini i bëri këto komente pas sigurimit të mandatit të pestë në Kremlin gjatë zgjedhjeve treditore të cilësuara si të rreme nga Perëndimi.

Presidenti rus nuk dha hollësi, por tha se zona neutrale mund të nevojitet që të jetë mjaftueshëm e madhe për t’i ndaluar ato që ai tha se ishin armë të prodhimit të huaj që po e godasin territorin rus.

Ai e bëri këtë koment pasi u pyet nëse mendon që është e nevojshme që Rusia ta marrë rajonin Kharkiv të Ukrainës, që kufizohet me Belgorodin, provincë ruse që është sulmuar vazhdimisht nga forcat ukrainase nga viti 2022.

Banorët e Kharkivit, kryeqytet rajonal i rajonit me të njëjtin emër, shprehën shpërfillje, kur u pyetën për fjalët e Putinit të hënën.

“Mendoj se atij [Putinit] do t’i mbeten fjalët në fyt. Kharkivi kurrë nuk do të jetë zonë e hirtë. Kharkivi është dhe do të jetë Ukrainë. Le të ngulfatet ai [Putini]” – tha banorja Antonina Khrypushkina.

Rusia i ka bombarduar Kharkivin dhe rajonin përreth tij me raketa e dronë gati përditë muajve të fundit.

Roman Ariukh, ushtar që shërben në forcat e armatosura të Ukrainës, tha me shaka se është Ukraina ajo që duhet të krijojë një zonë sigurie brenda Rusisë.

Ukraina ka thënë më parë se përdor vetëm armë të vetat për ta goditur territorin rus. Disa nga aleatët kyçë të saj, si Shtetet e Bashkuara, kanë ofruar armë me kusht që ato të mos përdoren për goditje brenda Rusisë.

Kievi i shtoi sulmet me rreze të gjatë me dronë ndaj rafinerive të naftës në Rusi javën e kaluar dhe disa grupe paramilitare gjithashtu organizuan sulme matanë kufirit, nga Ukrain në perëndim të Rusisë./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme