Ukraina thotë se mund të ketë luftë të tretë botërore, nëse e humb luftën me Rusinë - NACIONALE

Ukraina thotë se mund të ketë luftë të tretë botërore, nëse e humb luftën me Rusinë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka thënë se do të jetë një “Luftë e Tretë Botërore”, nëse vendi i tij e humb konfliktin me Rusinë, duke i bërë thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të miratojë një projektligj të ndihmave që ka ngecur për një kohë të gjatë.

Zyrtari i lartë ukrainas shprehu “optimizëm të kujdesshëm” se ligjvënësit amerikanë do ta miratojnë projektligjin e kushtueshëm, me të cilin ndahen 61 miliardë dollarë për Kievin, raporton televizioni BBC.

Duke folur në Uashington për televizionin britanik të mërkurën, kryeministri ukrainas për ndihmat amerikane tha: “Ne na nevojiten këto para dje, jo nesër, jo sot. Nëse ne nuk do të mbrohemi,... Ukraina do të bjerë. Prandaj, sistemi global i sigurisë do të shkatërrohet... dhe tërë bota do të ketë nevojë që të gjejë... një sistem të ri të sigurisë ose do të ketë shumë konflikte, shumë lloje të tilla të luftërave dhe, në fund të ditës, kjo do të mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.”

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina lëshon paralajmërim të tillë alarmues për pasojat e humbjes së mundshme të saj përballë Rusisë.

Vitin e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nëse Rusia e fiton luftën, ky shtet mund ta pushtojë më pas edhe Poloninë, duke e nxitur Luftën e Tretë Botërore.

Sidoqoftë, zyrtarë të Kremlinit janë tallur me pretendime të tilla, duke i cilësuar si përpjekje të Perëndimit për të nxitur frikë. Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, i hodhi poshtë pretendimet se Rusia një ditë mund ta sulmojë Evropën Lindore, duke i quajtur “marrëzi e plotë”.

Rusia nuk ka sulmuar asnjëherë ndonjë shtet të NATO-s, ku përfshihet edhe Polonia. Pakti i mbrojtjes kolektive nënkupton se një sulm ndaj një shteti anëtar përbën sulm ndaj të gjitha vendeve të aleancës.

Në ShBA, disa prej ligjvënësve kanë kërkuar që së pari të miratohen fonde për sigurinë në kufirin amerikan me Meksikën para se të ndahen dhjetëra miliarda dollarë shtesë për vende të huaja.

Ukraina varet në mënyrë kritike nga furnizimi me armë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët e tjerë perëndimorë për ta vazhduar luftën kundër Rusisë, shtet që ka shifra superiore dhe bollëk të municionit.

Lajme të ngjashme