Ukraina thotë se mbi 1.700 afrikanë po luftojnë për Rusinë - NACIONALE

Ukraina thotë se mbi 1.700 afrikanë po luftojnë për Rusinë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 1.700 afrikanë po luftojnë për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, tha të mërkurën kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha, duke shtuar se Moska po e përdor mashtrimin për t’i futur ata në luftime.

Duke folur krahas homologut të tij nga Gana, Sybiha tha se janë duke u zhvilluar diskutime me qeveri të vendeve afrikane për ta parandaluar përfshirjen e qytetarëve të tyre në skema të tilla. Gana do ta drejtojë Unionin Afrikan vitin e ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne shohim qartazi se Rusia po mundohet që t’i tërheqë qytetarët afrikanë në një luftë vdekjeprurëse. Sipas të dhënave tona, tani për tani janë më shumë se 1.780 qytetarë nga kontinenti afrikan që po luftojnë në ushtrinë ruse” – tha Sybiha në një konferencë për gazetarë.

Ai shtoi se këta luftëtarë afrikanë vijnë nga 36 shtete në pjesë të ndryshme të kontinentit. Autoritetet ruse kanë mohuar se rekrutojnë ilegalisht qytetarë afrikanë për të luftuar krahas ushtrisë ruse.

Megjithatë, në muajt e fundit janë shpeshtuar raportet për burra afrikanë që po joshen për të shkuar në Rusi me premtime për vende pune e duke përfunduar në vijën e frontit në Ukrainë, duke krijuar tensione mes Moskës dhe disa prej shteteve të përfshira.

Ministri i Jashtëm i Ganës, Samuel Okudzeto Ablakwa, tha se shumë prej afrikanëve që po luftojnë për Rusinë janë viktima të mashtrimit, të joshur në rrjetin e zi me premtimin për vende pune të zakonshme.

“Ata nuk kanë sfond të sigurisë. Nuk kanë sfond ushtarak. Ata nuk janë trajnuar. Thjesht u joshën dhe u mashtruan, pastaj u vendosën në vijat e frontit” – tha ministri afrikan.

Ai shprehu solidaritet me Ukrainën dhe bëri thirrje për një armëpushim që t’i jepet fund luftës së nisur para katër vjetëve. Ministri gjithashtu tha se do të kërkojë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të lirojë dy të burgosur lufte nga Gaza, të cilët janë kapur duke luftuar për Rusinë./Nacionale

Lajme të ngjashme