Ukraina thotë se ka ndaluar dy agjentë rusë - NACIONALE

Ukraina thotë se ka ndaluar dy agjentë rusë

4 javë më parë

nga NACIONALE

Shërbimi ukrainas i sigurisë, SBU, tha të mërkurën se ka ndaluar dy agjentë të agjencisë ruse të inteligjencës, FSB, që akuzohen për furnizim të forcave armike me të dhëna rreth lokacioneve të caqeve të ndjeshme ushtarake.

Ukraina ka zhvilluar një fushatë intensive të shtypjes së atyre që dyshohen për bashkëpunim me Rusinë që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, duke hapur mijëra raste kriminale, raporton mediumi “Kyiv Post”.

“Si rezultat i një operacioni special, dy agjentë të FSB-së u ndaluan në Kiev dhe Odesa. Kriminelët u munduan që t’i identifikonin lokacionet e trupave ukrainase e pastaj t’ua dërgonin pushtuesve koordinatat përkatëse për t’i përshtatur sulmet ajrore” – thuhet në një deklaratë të SBU-së.

“Në fazën përfundimtare të operacionit special, të dy kriminelët u ndaluan në flagrancë, përderisa po spiunonin caqet të mundshme për pushtuesit” – tha më tej agjencia ukrainase.

Njëri nga të dyshuarit fotografoi një stacion të energjisë termike, veprim që dyshohet se do të përdorej për ta ndihmuar Rusinë për bombardimin e infrastrukturës ukrainase të energjisë.

Të dy u ngarkuan me akuzën për bashkëpunim me armikun dhe mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

Kombet e Bashkuara thanë vitin e kaluar se Ukraina kishte hapur më shumë se 6.600 raste kriminale “kundër individëve për bashkëpunim [me armikun] dhe për krime të tjera të ndërlidhura me konfliktin” që nga fillimi i luftës.

Lajme të ngjashme