Ukraina thotë se ka goditur me dronë një bazë ushtarake ruse në Krime
Agjencia ukrainase e inteligjencës ushtarake, GUR, tha të premten se një bazë ushtarake ruse thellë brenda Krimesë është goditur nga një sulm ukrainas me dron. Banorët raportuan për pasoja në njerëz, shpërthim e mbyllje të një rruge.
Të premten herët, Rusia raportoi për njërin prej sulmeve më të mëdha të bashkërenduara ajrore ukrainase deri më tani mbi territorin e kontrolluar nga rusët, por tha se sistemet e mbrojtjes ajrore i kishin rrëzuar të gjithë 42 dronët me të cilët ishte sulmuar Krimea para se ata t’i godisnin caqet, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas të inteligjencës thanë se sulmi e goditi Brigadën e 126-të të Mbrojtjes Bregdetare të Rusisë me bazë në Perevalnoye, qytezë më shumë se 200 kilometra larg territorit të kontrolluar nga Ukraina.
“Ne konfirmojmë se pati një goditje”- tha zëdhënësi i GUR-së, Andriy Yusov, sipas faqes ukrainase të lajmeve, Liga.net.
“Njerëzit – jo vetëm në territorin kryesor ukrainas, por edhe në Krime – duhet të mbajnë në mend dhe të besojnë se fitorja jonë dhe çlirimi i tyre nuk janë larg”- tha shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, për sulmin e së premtes.
Banorët e qytezës Perevalnoye, duke shkruar në rrjetin “Telegram”, raportuan se kishin dëgjuar shpërthime nga baza ushtarake dhe përmendën pasoja në njerëz. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë raportimet.
“Dy njerëz vdiqën një një poligon të qitjes, një u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Kjo është informatë nga lart, nga poligoni i qitjes”- tha një përdorues me nofkën Abdul Has, në fotografinë e profilit të të cilit shihet një burrë me uniformë ushtarake.
Një banor kërkoi nga të tjerët që të mos zbulonin informata. “Banorë të Perevalnoye-s, unë rekomandoj fuqishëm – mos shkruani këtu se çfarë ndodhi deh si. U ndihmojmë që ta drejtojnë zjarrin në të ardhmen me këtë”- shkroi dikush me nofkën Lis.
