Ukraina thotë se ka goditur caqe në Rusi me raketat balistike amerikane, ATACMS
Ushtria ukrainase tha të martën se kishte sulmuar caqe ushtarake në Rusi me raketa ATACMS të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar ngjarjen si “zhvillim domethënës”.
Ukraina më parë nuk ka deklaruar haptazi se e përdor sistemin e avancuar të raketave balistike për të vënë në shënjestër pika brenda Rusisë, edhe pse kufizimi i përdorimit të tyre ishte hequr nga administrata e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, para një viti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Përdorimi i kapaciteteve sulmuese me rreze të gjatë, përfshirë sistemet si ATACMS, do të vazhdojë” – thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës të martën.
Kievi i kishte pranuar këto raketa në vitin 2023, por fillimisht ishte i kufizuar që ato t’i përdorte vetëm brenda territorit të Ukrainës.
Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara atë kohë, i kishte hequr kufizimet në nëntorin e vitit 2024, veprim që fillimisht ishte kritikuar nga pasardhësi i tij, Donald Trump.
Ukraina ka kërkuar raketa amerikane “Tomahawk”, të cilat kanë rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, duke thënë se ato do ta ndihmonin që ta detyrojë Rusinë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.
Edhe pse Trumpi fillimisht e kishte lënë të hapur idenë e shitjes së tyre në Ukrainë, në nëntor tha se ai “nuk po e shqyrtonte vërtet” këtë veprim./Nacionale