Ukraina thotë se forcat e saj kanë përparuar në frontin e lindjes - NACIONALE

Ukraina thotë se forcat e saj kanë përparuar në frontin e lindjes

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, ka thënë se forcat ukrainase kanë përparuar përreth qytezës Bakhmut, duke e përshkruar këtë vend si “epiqendër të armiqësive”.

Ajo nuk tregoi nëse kundërofensiva e shumëpritur ukrainase tashmë ka filluar, raporton televizioni BBC.

Në anën tjetër, ushtria ruse tha se kishte zmbrapsur një sulm të ri në rajonin lindor të Donetskut të hënën.

Bakhmuti ka qenë me muaj epiqendër e luftimeve të ashpra. Qyteza ka rëndësi të vogël strategjike, por peshë të madhe simbolike për Kievin dhe Moskën.

Pretendimet e Ukrainës dhe Rusisë të hënën nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Në orët e hershme të së martës, sirenat e alarmit për sulme ajrore u aktivizuan për disa orë në pjesë të ndryshme të Ukrainës. Në kryeqytetin Kiev, të gjitha raketat – mbi 20 – janë rrëzuar, thanë zyrtarët lokalë, duke i cituar të dhënat preliminare.

Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale të hënën, zëvendësministrja Maliar tha: “Pavarësisht nga rezistenca e fortë dhe nga përpjekjet e armikut për t’i mbajtur pozicionet e veta, njësitet tona ushtarake përparuan në disa drejtime gjatë luftimeve.”

Ajo tha se forcat ukrainase përparuan për 200 deri në 1 mijë e 600 metra në Orikhovo-Vasulivka dhe në Paraskovvivka, ndërsa për 100 deri në 700 metra në Ivanivske dhe në Klishchiivka.

Të gjitha këto fshatra ndodhen disa kilometra larg Bakhmutit. Beteja për qytetin famëkeq ka qenë më e gjata dhe më e përgjakshmja në luftë.

Ditëve të fundit është vërejtur shtim i aktivitetit ushtarak të forcave ukrainase dhe Ukraina ka pretenduar se ka shënuar përparime të vogla në pjesë të tjera të vijës së frontit.

Lajme të ngjashme