Ukraina thotë se e ka sulmuar me eksploziv urën që e lidh Krimenë me Rusinë - NACIONALE

Ukraina thotë se e ka sulmuar me eksploziv urën që e lidh Krimenë me Rusinë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shërbimi ukrainas i sigurisë, SBU, tha të martën se e kishte goditur urën që e lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë me lëndë shpërthyese të vendosura nën ujë.

“Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës kreu një operacion special të ri unik dhe e goditi Urën e Krimesë për herë të tretë – kësaj radhe nën ujë” – shkroi SBU-ja në rrjetin “Telegram”, raporton televizioni CNN.

Operacioni erdhi pasi SBU-ja të dielën kreu sulme të guximshme ajrore ndaj flotës së aeroplanëve bombardues rusë.

SBU-ja tha se agjentët e saj e kishin vendosur lëndën shpërthyese në valëpritësin e urës që përmban rrugë për automjete dhe hekurudhë dhe pjesën e parë të kësaj lënde e aktivizuan në orën 4 e 44 të mëngjesit të së martës. Në njoftim thuhet se për përgatitjen e tërë operacionit u nevojitën disa muaj.

SBU-ja tha se përdori 1.100 kilogramë lëndë shpërthyese, e cila “i dëmtoi rëndë” shtyllat nënujore që e mbështesin urën.

Zyrtarët rusë nuk iu përgjigjën menjëherë pretendimit të Ukrainës. Sidoqoftë, në kanalin zyrtar të operatorit të urës në “Telegram” më herët u njoftua se trafiku mbi urë ishte pezulluar përkohësisht, ndërsa nga ora 9 e mëngjesit sipas kohës lokale, operatori tha se trafiku rinisi normalisht.

Sulmi i së martës e shënon herën e tretë që Ukraina e ka vënë në shënjestër urën që nga fillimi i luftës më 2022.

Lajme të ngjashme