Ukraina raporton për tre të vrarë nga sulmet ruse në pjesë të ndryshme
Një djalë 8-vjeçar ishte në mesin e dy të vrarëve nga sulmet ruse ndaj rajonit juglindor ukrainas, Zaporizhia, gjatë natës së kaluar, ndërsa një person tjetër vdiq nga një sulm me raketë në qytetin qendror, Dnipro, thanë zyrtarët ukrainas.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se sulmi ndaj një kompleksi hotelier në Zaporizhia la të vdekur një grua 38-vjeçare dhe të birin e saj, ndërsa bashkëshorti dhe vajza adoleshente e tyre u lënduan. Vajza ishte duke marrë kujdes intensiv, raporton agjencia “Reuters”.
Ditën e kaluar u regjistruan 313 sulme dhe raste të granatimeve ndaj 11 vendbanimeve, duke dëmtuar disa ndërtesa në Zaporizhia, tha guvernatori rajonal, Ivan Fedorov, përfshirë një sulm me raketë në qytetin me të njëjtin emër, që është qendër adiministrative e rajonit.
Forca ajrore ukrainase tha se rrëzoi 27 nga 35 dronët gjatë sulmit rus natën, kur armiku pushtues thuhet se përdori edhe katër raketa.
Guvernatori rajonal në Mykolaiv, Vitaliy Kim, tha se një sulm raketor natën në rajonin jugor nuk rezultoi në pasoja në njerëz.
Guvernatori rajonal i Kievit, Ruslan Kravchenko, gjithashtu raportoi se nuk pati dëme ndaj infrastrukturës kritike ose pasoja në njerëz pas punës së mbrojtjes ajrore në atë pjesë. Megjithatë, ai tha se mbetjet e armëve të shkatërruara shkaktuan zjarre në zona pyjore dhe dëme të vogla në një ndërtesë shumëkatëshe.
Autoritetet lokale në qytetin verior, Chernihiv, thanë se një sulm me dron u shkaktoi lëndime të lehta dy personave.
Të hënën vonë, forcat ruse hodhën raketa edhe drejt qytetit qendror, Dnipro, duke vrarë një person e duke lënduar gjashtë të tjerë, ndërsa disa shtëpi u dëmtuan në distriktin Serhiy Lysak, tha guvernatori rajonal i Dnipropetrovskut.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur këto raportime. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Rusia. Moska mohon se vë në shënjestër civilë gjatë luftës./Nacionale