Ukraina raporton për tetë të vrarë nga sulmet ruse në Dnipropetrovsk - NACIONALE

Ukraina raporton për tetë të vrarë nga sulmet ruse në Dnipropetrovsk

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një sulm i madh rus me raketa në rajonin qendror ukrainas, Dnipropetrovsk, la të vrarë të paktën tetë njerëz, 21 të tjerë u plagosën dhe u shkaktuan dëme ndaj objekteve infrastrukturore, raportuan zyrtarët lokalë të premten në mëngjes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nga ky sulm janë dëmtuar disa kate të një ndërtese banimi dhe një stacion i trenit në kryeqytetin rajonal, Dnipro. Ai bëri thirrje që vendit të tij t’i dhurohet mbrojtje ajrore shtesë, raporton agjencia “Reuters”.

“Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë terror dhe secila raketë, secili [dron iranian] “Shahed” duhet të rrëzohet. Bota mund ta garantojë këtë dhe partnerët tanë i kanë kapacitetet e nevojshme” – tha Zelensky.

Kompania shtetërore e hekurudhave, “Ukrzaliznytsia”, tha se në shënjestër të sulmit rus ishte qëllimisht infrastruktura e kësaj ndërmarrjeje në rajon dhe se disa punëtorë të saj janë lënduar. Kompania e mbylli stacionin e vet në Dnipro dhe ua ndryshoi drejtimin trenave që do të kalonin nëpër këtë qytet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ihor Klymenko, tha se të paktën tetë persona vdiqën nga sulmi – dy në Dnipro dhe gjashtë në distriktin Synelnykivskyi, ku më shumë se dhjetë shtëpi u dëmtuan.

Lajme të ngjashme