Ukraina raporton për sulme të gjera ruse ndaj rrjetit energjetik - NACIONALE

Ukraina raporton për sulme të gjera ruse ndaj rrjetit energjetik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia e sulmoi sistemin energjetik të Ukrainës dhe qytetet në rajonin lindor me raketa balistike e me drejtim të mërkurën në mëngjes, sipas ministrit ukrainas të Energjisë dhe zyrtarëve lokalë.

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga një sulm me raketë ndaj Kharkivit në juglindje të Ukrainës të mërkurën në mëngjes, tha guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Forcat ajrore ukrainase thanë se Kharkivi u sulmua me raketa balistike dhe Syniehubovi tha në rrjetin “Telegram” se kishte “dëme ndaj infrastrukturës civile jo të banimit”.

Guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak, në rrjetin “Telegram” tha: “Që nga mëngjesi, ushtria ruse ka qenë duke e sulmuar në mënyrë masive rajonin e Dnipros. Ajo po mundohet që ta shkatërrojë sistemin energjetik të rajonit.”

Ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, tha në rrjetin “Facebook” se Rusia “po e sulmon në mënyrë masive sektorin e energjisë” dhe se operatori i sistemit të transmisionit kishte vendosur kufizime të ashpra rreth furnizimit me energji për ta minimizuar ndikimin.

Rusia i ka shpeshtuar sulmet e saj ndaj sektorit energjetik të Ukrainës nga pranvera e këtij viti, duke e dëmtuar gati gjysmën e kapacitetit gjenerues dhe duke shkaktuar ndërprerje të gjata me orë në mbarë vendin.

Më herët të mërkurën, ushtria ukrainase aktivizoi një alarm gjithëkombëtar për sulme ajrore si kundërpërgjigje ndaj hedhjes së raketave me drejtim nga Rusia.

Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, tha se objektet e saj gjeneruese ishin sulmuar gjatë sulmit, duke u shkaktuar “dëme serioze” pajisjeve.

“Këtë vit, ky është sulmi i 13-të masiv ndaj sektorit ukrainas të energjisë dhe sulmi i 10-të masiv ndaj objekteve energjetike të kompanisë” - tha DTEK-u në rrjetin “Telegram”.

Autoritetet lokale dhe forca ajrore raportoi për fluturime raketash në rajonet lindore, qendrore, jugore dhe perëndimore të vendit.

Gjatë një sulmi të kaluar masiv me raketa më 17 nëntor, Rusia hodhi 120 raketa e 90 dronë, duke vrarë të paktën shtatë njerëz e duke i shkaktuar dëm të rëndë sistemit energjetik./Nacionale

Lajme të ngjashme