Ukraina raporton për përparime të reja prej 200 metrash deri në një kilometër në terren
Ukraina raportoi për përparime të reja gjatë fazave të hershme të kundërsulmit të martën, por shtoi se forcat ruse janë duke bërë gjithçka që po munden për ta mbrojtur territorin që e kanë pushtuar.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se trupat ukrainase kanë përparuar 250 metra afër qytetit Bakhmut, 200 metra në frontin e Toretsk-ut, në pjesën lindore të Ukrainës, dhe 500 metra deri në një kilometër në drejtim të qytetit bregdetar Berdyansk, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtarja ukrainase tha se ushtria e vendit të saj ka marrë nën kontroll një zonë me sipërfaqe deri në tri kilometra katrorë, por nuk tregoi se për çfarë periudhe kohore është arritur një gjë e tillë.
Ajo tha të hënën vonë se forcat ukrainase kishin përparuar për 6,5 kilometra dhe se kishin marrë nën kontroll një zonë prej 90 kilometrash katrorë. Megjithatë, kjo mbetet sipërfaqe e vogël në krahasim me më shumë se 60 mijë kilometrash katrorë që mbeten nën pushtimin rus.
“Armiku është duke bërë gjithçka për të mbetur në pozicionet që i ka marrë”- shkroi zonja Maliar në rrjetin “Telegram” të martën në mëngjes.
Ajo tha se forcat ruse kishin mbështetje ajrore dhe po i sulmonin trupat ukrainase me zjarr artilerie, dhe se trupat ukrainase ishin duke hasur në fusha të minuara të vazhdueshme, të kombinuara me kanale kundër tankeve.
“E tërë kjo e kombinuar me kundërsulme të vazhdueshme nga njësitet e armikut ndaj automjeteve të blinduara dhe me përdorim masiv të raketave kundërtank me vetëdrejtim e dronëve kamikazë”- shtoi zëvendësministrja ukrainase.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë situatën në fushën e betejës. Rusia nuk i kishte pranuar zyrtarisht përparimet e Ukrainës në terren dhe ka thënë se i ka zmbrapsur sulmet ukrainase, duke i shkaktuar pasoja të rënda armikut që nga fillimi i kundërsulmit.

