Ukraina raporton për humbje të Koresë së Veriut në frontin e Kurskut në Rusi
Ukraina tha të hënën se njësitet e Koresë së Veriut që po luftojnë për Rusinë kanë pësuar humbje të të paktën 30 ushtarëve të vrarë ose të plagosur përreth disa fshatrave në frontin e rajonit Kursk të Rusisë gjatë fundjavës.
Agjencia ukrainase për spiunim ushtarak raportoi për këto humbje në një deklaratë, pasi presidenti Volodymyr Zelensky tha të shtunën se Rusia ishte duke përdorur trupa të Koresë së Veriut në numra domethënës për herë të parë për të kryer sulme në Kursk, rajon rus ku Ukraina kishte nisur një sulm matanë kufirit në gusht, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kjo deklaratë është hera e parë që Ukraina ka raportuar për humbje të Koresë së Veriut në këtë shkallë dhe me ca hollësi. Aty thuhet se humbjet u regjistruan në afërsi të fshatrave Plekhovo, Vorozhba dhe Martynovka të rajonit Kursk.
Nuk qe e mundshme që numrat të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur. Rusia as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar praninë e koreanoveriorëve në anën e vet. Penjani fillimisht i kishte hedhur poshtë raportimet për dislokimin e trupave, duke i quajtur “lajme të rreme”, por një zyrtar i Koresë së Veriut ka thënë se çfarëdo dislokimi i tillë do të ishte i ligjshëm.
“Për shkak të humbjeve, grupet sulmuese po rimbushen me personel të freskët, në veçanti nga brigada e 94-të e ushtrisë së RPDK-së [Republikës Popullore Demokratike të Koresë], për t’i vazhduar operacionet aktive luftarake në rajonin e Kurskut” – shkroi agjencia ukrainase për spiunim ushtarak, pa ofruar dëshmi.
Kievi së pari kishte thënë se forcat e Koresë së Veriut ishin paraqitur në rajonin Kursk të Rusisë në tetor dhe më vonë kishte raportuar për përleshje e viktima të paspecifikuara. Ukraina vlerëson se gjithsej janë angazhuar 11 mijë trupa nga Koreja e Veriut./Nacionale