Ukraina publikon video, pretendon se ka shkatërruar një luftanije ruse me dronë ujorë - NACIONALE

Ukraina publikon video, pretendon se ka shkatërruar një luftanije ruse me dronë ujorë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase besohet se e kanë përmbytur luftanijen ruse “Ivanovets” afër Krimesë së pushtuar përmes një sulmi të sofistikuar gjatë natës me disa dronë ujorë, duke e shpërfaqur fuqinë në zgjerim të Kievit në Detin e Zi.

Inteligjenca ushtarake ukrainase publikoi një video ku shihen disa dronë ujorë që e sulmojnë luftanijen ruse, duke përfunduar me tri pamje dramatike të shpërthimit dhe përmbytjes në ujë, raporton gazeta “The Guardian”.

Ukraina tha se anija është fundosur. Kështu vlerësuan edhe blogerë të njohur ushtarakë rusë. Disa orë më vonë, zyrtarë perëndimorë thanë se besonin që luftanija ishte shkatërruar përmes një sulmi me dronë me rreze të gjatë.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në një deklaratë tha: “Si rezultat i një numri të goditjeve të drejtpërdrejta ndaj trupit, korveta u dëmtua, u rrotullua në pjesën e pasme dhe u fundos. Vlera e anijes është rreth 60 – 70 milionë dollarë.”

Luftanija “Ivanovets” është anije e vogël luftarake që zakonisht mban ekuipazh prej rreth 40 personash. Nuk qe menjëherë e qartë nëse kishte pasoja në njerëz, edhe pse ka shumë gjasa për këtë, duke i marrë parasysh shpejtësinë dhe intensitetin e sulmit.

“Gjatë natës, armiku e fundosi Ivanovets-in, barkë e madhe raketore” – shkroi blogerja ushtarake ruse me ndikim, Anastasia Kashevarova, në kanalin e saj në “Telegram”. Një bloger tjetër tha se anija ishte goditur tri herë dhe se ekuipazhi “luftoi deri në fund” për ta mbajtur atë mbi ujë.

Të prodhuar nga ukrainasit, dronët ujorë kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë dhe mund të kontrollohen nga largësia. Videoja e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes është e mbështetur në përzgjedhje të pjesëve të transmetimit të drejtpërdrejtë nga dronët, mu para momentit të shpërthimit në disa raste.

Forcat ukrainase kanë kryer disa sulme me dronë ujorë, duke vënë në shënjestër anije ushtarake, bazën në Sevastopol dhe limanin në Novorossiysk.

Lajme të ngjashme