Ukraina pretendon se ka shkatërruar një luftanije ruse në Krime - NACIONALE

Ukraina pretendon se ka shkatërruar një luftanije ruse në Krime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ajrore ukrainase kanë pretenduar se kanë shkatërruar një luftanije ruse përmes një sulmi në një bazë detare të Krimesë, duke thënë se dyshonin që me këtë anije po barteshin dronë për t’u përdorur në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Anija “Novocherkassk” u “shkatërrua”, thuhet në një shkrim të forcave ajrore ukrainase të martën në rrjetin “Telegram”, raporton televizioni “Al Jazeera”.

“Njerëzit thonë se ajo transportonte [dronë iranianë’ Shahed”- thuhet më tej në shkrim, duke iu referuar dronëve shpërthyes që Rusia vazhdimisht i ka përdorur për ta sulmuar Ukrainën.

Forcat ajrore nuk e identifikuan vendin e sulmit, por komandanti Mukola Oleshchuk publikoi një video të shpërthimit në bazën detare të Feodosia-s, në bregun e Detit të Zi, dhe tha se është goditur anija “Novocherkassk”.

“Dhe flota po bëhet më e vogël e më e vogël! Faleminderit pilotëve të Forcës Ajrore dhe të gjithë të përfshirëve në punën filigran”- shkroi Oleshchuk-u, pa ofruar dëshmi.

Sergey Aksyonov, guvernator i Krimesë i emëruar nga Moska, pranoi se Feodosia është goditur dhe tha se sulmi ka nxitur një zjarr që është vënë nën kontroll.

“Një sulm i armikut u krye në zonën e Feodosia-s. Zona e portit është rrethuar”- shkroi ai në rrjetin “Telegram”.

Rusia ka konfirmuar se kjo anije është goditur. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se anija “Novocherkassk” u godit nga një aeroplan ukrainas që bartte raketa me vetëdrejtim.

Sipas guvernatorit të emëruar nga Rusia në Krime, një person është vrarë gjatë sulmit.

Lajme të ngjashme