Ukraina pretendon se ka bërë avancime me kundërsulme në Donbas
Raportohet se forcat ruse kanë shënuar përparim ndaj pozicioneve ruse afër Kharkiv-it dhe Kherson-it, duke bërë fitime të vogla territoresh gjatë ofensivës së vazhdueshme ruse në rajonin lindor të Donbasit.
Në anën tjetër, Rusia pretendoi se ka shkatërruar një grumbull të armëve ukrainase, që Ukrainës i janë dhënë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, raporton Radioja “Evropa e Lirë”.
Pretendimet e 7 majit, të bëra nga këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych, se Ukraina ka bërë përparime në fushëbetejë vijnë vetëm dy ditë para se Rusia ta shënojë 9 Majin – Ditën e Fitores, që është përvjetori i mposhtjes së Gjermanisë naziste.
Fjalimi i presidentit rus, Vladimir Putin, më 9 maj do të përcillet me interesim të lartë për të dëgjuar nëse ai do të shpallë mobilizim të përgjithshëm ose ndonjë ndryshim tjetër të madh strategjik në përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e luftës, që ka hyrë në ditën e 73-të.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të premten se forcat e saj po vazhdojnë të përparojnë në pozicionet në Donbas dhe se kanë shkatërruar një depo municioni në Kramatorsk e kanë rrëzuar dy aeroplanë luftarakë.
Në anën tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në vlerësimin ditor se aktiviteti rus ishte relativisht i qetë gjatë natës, i kufizuar në zjarr artilerie e vëzhgime ushtarake, shkruan "Radio Free Europe", përcjell Gazeta Nacionale.
Suksesi i Ukrainës kundër forcave ruse është arritur në pjesë të madhe falë furnizimit të madh me armë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.
Në fjalimin e zakonshëm të mbrëmjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nëse forcat ruse vrasin civilë ose ushtarë që do të mund të liroheshin, qeveria e tij nuk do të zhvillojë më bisedime të paqes me Rusinë.
Për herë të parë nga fillimi i luftës, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të shkurtër me të cilën u shpreh “shqetësim i thellë” për situatën në Ukrainë.
Megjithatë, në tekstin e miratuar të premten edhe me votën e Rusisë, nuk u përmendën fjalët “luftë”, “konflikt” ose “pushtim” – siç përdoren nga shumë shtete të këtij këshilli – as termi “operacion special ushtarak”, të cilin e përdor Rusia.