Ukraina pretendon për sukses në frontin juglindor
Forcat ukrainase të enjten pretenduan për arritje të suksesit në frontin juglindor, ku thanë se çliruan një vendbanim një ditë më parë.
Ukraina e njoftoi rikapjen e fshatit Urozhaine nga trupat ruse në juglindje të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.
Urozhaine, në skaj të rajonit të Donetskut, është fshati i parë për të cilin Ukraina thotë se e ka rimarrë nga data 27 korrik, shenjë e sfidave me të cilat ballafaqohen forcat ukrainase për të përparuar nëpër linjat ruse të mbrojtjes, të minuara gjerësisht, pa përkrahje nga ajri.
“Në drejtimin në jug të Urozhaine-s, ata (ushtarët ukrainas) patën sukses”- tha në televizionin kombëtar zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Kovaliov. Ai nuk dha hollësi të tjera.
Ukraina ka pranuar se kundërsulmi i saj është duke përparuar më ngadalë se që ka dashur për shkak të fushave të gjera me mina dhe linjave të përgatitura të mbrojtjes së rusëve.
Rusia kontrollon gati një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, shumicën e rajonit të Luhanskut dhe pjesë të mëdha të rajoneve Donetsk, Zaporizhia e Kherson.
