Ukraina pranon se një raketë hipersonike ruse e goditi “zonën” e një baze ajrore - NACIONALE

Ukraina pranon se një raketë hipersonike ruse e goditi “zonën” e një baze ajrore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një raketë hipersonike ruse e goditi “zonën” e bazës së rëndësishme ajrore ukrainase në Starokostiantyniv të hënën në mëngjes, thanë autoritetet e Kievit në një rast të rrallë të pranimit, pas një sulmi me dronë e raketa që në shënjestër e kishte edhe kryeqytetin.

Sulmi më i ri në fushën ajrore në Starokostiantyniv, në rajonin perëndimor të Khmelnytskyi-t, që sulmohet shpesh nga Rusia, erdhi një ditë pasi ministri i Mbrojtjes i Holandës tha se vendi i tij do ta furnizonte Ukrainën me më shumë aeroplanë luftarakë të tipit F-16 muajve të ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Forca ajrore ukrainase, që rrallë i zbulon dëmet ndaj caqeve ushtarake, nuk tregoi nëse sulmi i kishte shkaktuar ndonjë dëm bazës ajrore, por pranimi i rënies së një rakete në afërsi të qendrës ishte i pazakontë.

Guvernatori Serhiy Tyurin tha se nuk pati viktima ose dëme ndaj infrastrukturës kritike.

Forca ajrore tha se dy raketa të tipit “Kinzhal” u rrëzuan në rajonin e Kievit. Mbetjet ranë në tri distrikte të kryeqytetit, por nuk u raportua për dëme të mëdha ose viktima, pasi mbrojtja ajrore iu kundërvu caqeve në lëvizje që po afroheshin, thanë autoritetet e qytetit.

Mbetjet i dëmtuan kulmin e një ndërtese shumëkatëshe të banimit dhe kulmin e një dyqani në distriktin Solomianskyi, në perëndim të qytetit, dhe një pjesë e mbetjeve ra në territorin e një shkolle, tha drejtori i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko.

Mbetje të raketave gjithashtu ranë në një zonë të hapur në distriktin qendror, Shevchenkivskyi, dhe e dëmtuan tavanin e një veture në distriktin jugor të Kievit, Holosiivskyi./Nacionale

Lajme të ngjashme