Ukraina paralajmëron masa kundër Izraelit, nëse ankorohet anija me drithëra nga tokat e pushtuara
Izraeli rrezikon që të ballafaqohet me një kundërpërgjigje diplomatike dhe ligjore nga Kievi, nëse lejon që një anije e ngarkuar me drithëra nga Ukraina e pushtuar nga forcat ruse të ankorohet në portin e Haifas, i tha të hënën agjencisë “Reuters” një burim diplomatik ukrainas.
Gazetar izraelite “Haaretz” raportoi më herët se anija “Panormitis”, për të cilën tha se po transportonte drithëra nga territori i pushtuar ukrainas e të cilat Kievi i cilëson si të vjedhura, ishte duke pritur leje për t’u ankoruar në Haifa.
“Nëse kjo anije dhe ngarkesa e saj nuk refuzohen, ne e rezervojmë të drejtën për të vendosur një varg të plotë të kundërpërgjigjeve diplomatike e ligjore ndërkombëtare” – tha burimi ukrainas në kushte anonimiteti.
Ministria e Jashtme e Izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Gazeta “Haaretz” raportoi të dielën se katër dërgesa me drithëra nga Ukraina e pushtuar tashmë janë shkarkuar në Izrael këtë vit.
“Praktika e pastrimit të mallrave të vjedhura është e papranueshme dhe Izraeli praktikisht i shpërfilli kërkesat tona në lidhje me anijen e kaluar” – tha burimi.
Ky burim shtoi se Kievi është duke e vëzhguar anijen, duke paralajmëruar se lejimi i ankorimit të saj do të kishte pasoja për marrëdhëniet dypalëshe mes Ukrainës e Izraelit./Nacionale