Ukraina nis reduktime të rrymës në shumicën e rajoneve pas sulmeve ruse ndaj rrjetit - NACIONALE

Ukraina nis reduktime të rrymës në shumicën e rajoneve pas sulmeve ruse ndaj rrjetit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ndërprerje urgjente të rrymës kanë filluar të zbatohen në pothuajse mbarë Ukrainën pas një fushate intensive të sulmeve ajrore ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

Ministria e Energjisë tha se vetëm dy rajone të vendit nuk janë prekur. Përpos shënjestrimit të rrjetit energjetik, Rusia gjithnjë e më shumë i ka vënë në cak hekurudhat e Ukrainës. Në anën tjetër, forcat ukrainase i kanë shtuar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës në rajonet kufitare por edhe më thellë brenda territorit rus, raporton televizioni BBC.

Një depo nafte në Krimenë e aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014 ka qenë duke u djegur për tri ditë pas një sulmi të dytë ukrainas me dron brenda një jave.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha të mërkurën se 16 cisterna janë dëmtuar dhe se një zjarr i shkallës së lartë po vazhdonte të ishte aktiv.

Shtimi i sulmeve me dronë ndaj rafinerive të naftës dhe naftësjellësve ka shkaktuar shtrenjtim dhe mungesë karburanti në disa pjesë të Rusisë. Udhëheqësit ukrainas shpresojnë se kjo gjendje do t’i godasë përpjekjet e Rusisë në luftë dhe do ta sjellë Kremlinin në tavolinën e bisedimeve.

Në Ukrainë, Ministria e Energjisë tha se kufizime urgjente do të zbatohen “për shkak të situatës së ndërlikuar”. Ekipet po bënin punë urgjente në të gjitha rajonet e prekura nga sulmi rus, tha operatori i rrjetit elektrik, “Ukrenergo”, duke u bërë thirrje konsumatorëve që ende kishin furnizim që ta kursenin energjinë.

Temperaturat në disa pjesë të Ukrainës u parashikuan që të bien në 3 gradë Celsius në natën mes së mërkurës dhe të enjtes.

Rusia argumenton se sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë të Ukrainës e kanë për qëllim goditjen e ushtrisë, por miliona civilë tashmë janë prekur nga ndërprerjet javëve të fundit./Nacionale

Lajme të ngjashme