Ukraina mund të humbë 3,5 miliardë euro në vit nëse përfundojnë privilegjet e BE-së, thotë deputeti - NACIONALE

Ukraina mund të humbë 3,5 miliardë euro në vit nëse përfundojnë privilegjet e BE-së, thotë deputeti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përfundimi i masave preferenciale tregtare me Bashkimin Evropian në qershor mund ta lënë Ukrainën pa 3,5 miliardë euro të hyra në vit, boshllëk që nuk do të mund të plotësohet nga tregjet e tjera, tha të premten një ligjvënës i lartë ukrainas.

Bashkimi Evropian i hoqi përkohësisht taksat dhe kuotat ndaj bujqësisë ukrainase pas fillimit të pushtimit të plotë rus dhe ky vendim favorizues pritet të përfundojë më 5 qershor. Diplomatët e BE-së thanë të mërkurën se blloku ishte duke e shqyrtuar rikthimin te marrëveshja e paraluftës me Ukrainën, përderisa po negocion një pakt të ri me Kievin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Financa në Ukrainë, Danylo Hetmantsev, tha në rrjetin “Telegram” se kultivuesit e misrit, sheqerit, mjaltit dhe shpezëve do të goditeshin më së shumti.

“Sipas vlerësimeve të ekspertëve, kushtet e reja tregtare pas përfundimit të “regjimit ekonomik pa viza” do të mund të na kushtonin 3,5 miliardë euro në vit” – tha ai, pa dhënë hollësi rreth burimit të vlerësimit.

“Kjo është goditje e konsiderueshme – më 2025, eksportet e përgjithshme mujore të mallrave ishin me mesatare prej 2,9 miliardë eurosh dhe është praktikisht e pamundshme që të kompensohen humbje të tilla në eksportet bujqësore në tregjet e tjera” – shtoi deputeti ukrainas.

Ministri i Financave i Ukrainës tha të mërkurën se ai ishte në bisedime me Brukselin për t’i përtërirë masat urgjente, por Komisioni Evropian tha se nuk është planifikuar zgjatja e afatit të tyre.

Bujqit e vendeve të BE-së kanë protestuar në mënyrë të përsëritur kundër fluksit të papritur të prodhimeve më të lira nga Ukraina./Nacionale

Lajme të ngjashme