Ukraina lëshon paralajmërim për anijet që përdorin porte ruse në Detin e Zi - NACIONALE

Ukraina lëshon paralajmërim për anijet që përdorin porte ruse në Detin e Zi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas sulmeve me dronë ujorë ukrainas ndaj dy anijeve ruse në Detin e Zi brenda një periudhe të shkurtër, Shërbimi Shtetëror Hidrologjik i Ukrainës ka lëshuar një paralajmërim bregdetar për shërbimet e transportit detar që përdorin disa porte ruse.

Ky shërbim lëshoi një paralajmërim bregdetar, duke i cilësuar si brenda “zonës me rrezik lufte” portet ruse Anapa, Novorossiysk, Gelendzhyk, Tuapse, Sochi dhe Taman, raporton televizioni CNN.

Një anije ushtarake ruse afër portit të Novorossiyskut u godit nga një dron detar të premten herët, pastaj njëra nga anijet më të mëdha transportuese të Rusisë u sulmua nga një dron tjetër ujor pak para mesnatës, sipas një burimi të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës.

Dronët detarë të Ukrainës po dëshmohen si shumë të vështirë për t’u mbrojtur nga ta dhe mund të lundrojnë qindra kilometra deri te caku i tyre. Përmes përdorimit të tyre, Ukraina po hap një front të ri dhe mund të jetë duke u munduar që ta forcojë moralin në kohën e përparimit të ngadalshëm në kundërsulmin e saj.

“Me secilin mision të ri luftarak, mjetet fluturuese ukrainase pa pilotë dhe dronët detarë bëhen më të saktë, operuesit më me përvojë, bashkërendimi luftarak më efektiv dhe prodhuesve u jepet mundësia për t’i përmirësuar karakteristikat taktike dhe teknike”- tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës.

Ai tha se muaji gusht ishte posaçërisht i suksesshëm për “gjahtarët” ukrainas. “Hapi i ardhshëm është që të zgjerohen shkalla dhe gama e operacioneve luftarake dhe niveli e ashpërsia e humbjeve ruse”- shtoi Danilovi.

Operacionet ukrainase me dronë ujorë duket se kanë eskaluar që nga koha kur Rusia vendosi që të largohej nga marrëveshja për eksportimin e sigurt të drithit përmes Detit të Zi.

Lajme të ngjashme