Ukraina kryen sulm me dronë në Moskë, godet një qendër satelitore
Ukraina tha të martën se e kishte goditur njërën nga qendrat më të mëdha satelitore ruse të komunikimit për herë të dytë brenda pak më shumë se një jave, kur Kievi po i shpeshton sulmet me dronë me rreze të gjatë për t’i bërë presion Kremlinit që t ndalë luftën e nisur para më shumë se katër vjetëve.
Qendra e Komunikimeve Satelitore “Dubna” në veri të Moskës, rreth 500 kilometra larg kufirit ukrainas, përdoret për grumbullim të inteligjencës dhe bashkërendim të luftimeve të forcave të armatosura ruse në Ukrainë, tha presidenti Volodymyr Zelensky.
Rusia nuk ka konfirmuar se kjo qendër satelitore është goditur, por guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, tha se një dron kishte goditur një “ndërtesë administrative” në qytet, pa viktima të raportuara, raporton televizioni CNN.
Vorobyovi gjithashtu tha se një foshnjë 6-muajshe vdiq të martën, pasi një dron ra në një shtëpi në Yegoryevsk, në juglindje të Moskës, duke lënë njerëz nën rrënoja. Punëtorët e shpëtimit nxorën dy të rritur dhe dy fëmijë, por foshnja vdiq rrugës për në spital, tha guvernatori rajonal.
Në një zonë tjetër, një grua 61-vjeçare u vra në rajonin perëndimor rus, Tver, pasi një “dron i armikut”, i cili ishte rrëzuar, goditi një shtëpi verore, thanë autoritetet rajonale.
Kryetari i Moskës, Sergey Sobyanin, tha se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan më shumë se 60 dronë, pasi shumë sosh ishin nisur drejt kryeqytetit rus nga e hëna në mbrëmje. Në përgjithësi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se kishte penguar ose shkatërruar 419 dronë.