Ukraina ka rimarrë nën kontroll 480 kilometra katrorë nga fundi i janarit, thotë Syrskyi
Ukraina e ka rimarrë kontrollin e 480 kilometrave katrorë të territorit të saj në pjesët lindore dhe juglindore të frontit nga fundi i janarit, tha komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, duke shtuar se Rusia po e vazhdon ofensivën pranverore.
Pasi e vizitoi vijën e frontit, Syrskyi tha se Ukraina e ka rikthyer kontrollin mbi tetë vendbanime në rajonin lindor të Dnipropetrovskit dhe mbi katër vendbanime të rajonit juglindor të Zaporizhias, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pavarësisht nga sukseset e Ukrainës, trupat ruse po vazhdojnë tutje me ofensivën e pranverës, tha komandanti ukrainas.
“Trupat ruse nuk po i braktisin planet e tyre për operacione të mëtejme të ofensivës dhe po i rigrupojnë forcat dhe pajisjet e tyre që i kanë në dispozicion” – tha Syrskyi në rrjetin “Telegram” të dielën vonë.
“Pavarësisht nga humbjet domethënëse në personel dhe pajisje ushtarake, pushtuesit synojnë që të kapin më shumë territor ukrainas dhe të ndërtojnë një “zonë neutrale” në rajonin e Dnipropetrovskit” – shtoi ai.
Sipas komandantit, trupat ukrainase po i mbajnë vijat e mbrojtjes.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha javën e kaluar se situata në vijën e frontit për Ukrainën ishte më e mira që nga mesi i vitit të kaluar.
Analistët ushtarakë thonë se kundërsulmet ukrainase në pjesën juglindore të vendit po ndihmojnë në pengimin e përpjekjeve ruse përreth qytetit Pokrovsk të rajonit lindor të Donetskut dhe, në përgjithësi, në pengimin e ofensivës pranverore ruse përgjatë më shumë se 1.200 kilometrave të vijës së frontit.
“Kundërsulmet ukrainase në drejtimet e Hulyaipoles dhe Oleksandrivkas vazhdojnë që t’i paraqesin komandës ushtarake ruse dilema që forcat e tejtendosura ruse duken të sfiduara t’i përmbushin” – tha në raportin e vet ditor të hënën Institutit për Studimin e Luftës, organizatë jofitimprurëse me bazë në Uashington./Nacionale