Ukraina i mirëpret diskutimet e Perëndimit për dërgim trupash në territorin e saj
Një zyrtar i lartë ukrainas të martën i mirëpriti diskutimet e vendeve evropiane për dërgim të ushtarëve të tyre në Ukrainë, por Kremlini tha se një konflikt mes Rusisë dhe NATO-s do të ishte i pashmangshëm, nëse anëtaret evropiane të NATO-s dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ngriti të hënën mundësinë që vendet evropiane të dërgojnë ushtarë në Ukrainë, por paralajmëroi se për këtë çështje nuk kishte konsensus, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo tregon, së pari, një vetëdije absolute për rreziqet e paraqitura ndaj Evropës nga një Rusi militariste, agresive” – tha këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, në një koment me shkrim për deklaratën e Macronit.
Rreth 20 udhëheqës evropianë u grumbulluan në Paris të hënën për t’i dërguar një porosi presidentit rus, Vladimir Putin, për vendosmërinë evropiane për Ukrainën dhe për t’iu kundërvënë narrativës së Kremlinit se Rusia do ta fitojë luftën që tashmë ka hyrë në vitin e tretë.
“Hapja e një diskutimi për mundësinë e përkrahjes së drejtpërdrejtë të Ukrainës nga forca të armatosura duhet të shihet si dëshirë për t’i përcaktuar thekset e duhura, për t’i vënë në pah rreziqet në mënyrë më të qartë” – shtoi zëdhënësi ukrainas.
Sipas tij, është e rëndësishme në këtë fazë që të përshpejtohet dërgimi i pajisjeve ushtarake në Ukrainë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha agjencisë “Reuters” se Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane për të dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë dhe se nuk ka as plane për të dërguar trupa të NATO-s për të dërguar ushtarë për luftime në Ukrainë.
Kur u pyet për komentet e Macronit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve iu tha: “Vetë fakti i diskutimit të mundësisë për dërgimin e kontingjenteve të caktuara në Ukrainë nga vendet e NATO-s është një element i ri shumë i rëndësishëm.”