Ukraina: Hakerët rusë ishin me muaj brenda rrjetit të gjigantit ukrainas të telekomit
Shefi i spiunazhit kibernetik në Ukrainë i ka thënë agjencisë “Reuters” se hakerët rusë ishin breda sistemit të gjigantit ukrainas të telekomit, “Kyivstar”, të paktën nga maji i vitit të kaluar në një sulm kibernetik që duhet të shërbejë si “paralajmërim i madh” për Perëndimin.
Ky hakim, njëri nga më dramatikët që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës para gati dy vjetëve, i rrëzoi shërbimet e ofruara nga operatori më i madh i telekomunikimit në Ukrainë për rreth 24 milionë përdorues për disa ditë nga 12 dhjetori, raporton agjencia “Reuters”.
Në një intervistë, Illia Vitiuk, drejtor i departamentit të sigurisë kibernetike në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës (SBU), zbuloi hollësi ekskluzive për këtë hakim, për të cilin ai tha se ka shkaktuar shkatërrim “katastrofal” dhe me të cilin ishte synuar që të jepej një goditje psikologjike e të grumbulloheshin të dhëna të inteligjencës.
“Ky sulm është një porosi e madhe, një paralajmërim i madh, jo vetëm për Ukrainën, por për tërë botën perëndimore që të kuptojë se askush në të vërtetë nuk është i paprekshëm”- tha zyrtari ukrainas, duke theksuar se kompania “Kyivstar” është kompani e pasur private që ka investuar shumë në siguri kibernetike.
Ky sulm fshiu “pothuajse gjithçka”, përfshirë mijëra serverë virtualë e kompjuterë personalë, tha më tej Vitiuku, duke e përshkruar atë si ndoshta shembullin e parë të një sulmi kibernetik shkatërrues që “tërësisht e shkatërroi bërthamën e një operatori të telekomit”.
Gjatë hetimit, SBU-ja zbuloi se hakerët ndoshta ishin munduar që të depërtonin në sistemin e kompanisë “Kyivstar” në mars ose më herët, tha shefi i departamentit për siguri kibernetike.
“Tash për tash, ne mund të themi me siguri se ata ishin në sistem të paktën nga maji i vitit 2023. Tash për tash nuk mund të them se nga cila kohë ata kishin... qasje të plotë, ndoshta të paktën nga nëntori”- shtoi zyrtari ukrainas i inteligjencës.
SBU-ja ka vlerësuar se hakerët kanë pasur mundësi që të vidhnin të dhëna personale, ta kuptojnë vendndodhjen e telefonave, të përcjellin porosi SMS dhe ndoshta të vjedhin llogari në rrjetin “Telegram” me nivelin e qasjes që e kishin siguruar, sipas këtij zyrtari.
Një zëdhënës i kompanisë “Kyivstar” tha se ajo ishte duke punuar ngushtë me SBU-në për ta hetuar sulmin dhe se do t’i bënte të gjithë hapat e nevojshëm për ta eliminuar rrezikun në të ardhmen. “Nuk janë zbuluar fakte për rrjedhje të të dhënave personale dhe të abonuesve”- shtoi ai.
Vitiuku tha se SBU-ja e ka ndihmuar kompaninë “Kyivstar” që t’i rikthente sistemet e veta brenda disa ditëve dhe t’i sprapste sulmet e reja kibernetike.
“Pas thyerjes së madhe, kishte një numër përpjekjesh të reja me qëllim të shkaktimit të më shumë dëmi ndaj operatorit”- tha zyrtari i inteligjencës.
“Kyivstar”-i është operatori më i madh i telekomit në Ukrainë dhe janë rreth 1,1 milion ukrainas që jetojnë në qyteza të vogla e fshatra ku nuk ka operatorë të tjerë, sipas Vitiukut.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli